Telashet me pushtetin e atëhershëm do të çonin deri te vendimi për mbyllje e më pas do të rihapej. Sfidat e kanë përshkuar Institutin Albanologjik të Prishtinës edhe më vonë. Por, edhe sukseset nuk i ka të vogla. Të hënën, kur edhe është shënuar jubileu i themelimit në kuadër të Javës së Albanologjisë, është përmbledhur edhe historia e pasur e institucionit. Pavarësisht se ishte mbyllur dy herë nga regjimi serb, Instituti prapë do t’ia dilte t’i qëndronte besnik qëllimit: studimit të albanologjisë
Instituti Albanologjik i Prishtinës do të themelohej në fillim të qershorit të 1953-së. Telashet me pushtetin e atëhershëm do të çonin deri te vendimi për mbyllje e më pas do të rihapej. Sfidat e kanë përshkuar këtë institucion edhe më vonë. Por, edhe sukseset nuk i ka të vogla. Të hënën, kur edhe është shënuar jubileu i themelimit në kuadër të “Javës së Albanologjisë” është përmbledhur edhe historia e pasur e institucionit. Pavarësisht se ishte mbyllur dy herë nga regjimi serb, Instituti prapë do t’ia dilte t’i qëndronte besnik qëllimit: studimit të albanologjisë.
Të hënën salla e katit të parë të objektit të Institutit të Albanologjisë ka qenë hapësira ku janë evokuar kujtimet e 54 vjetëve veprimtari në atë ndërtesë. Për 27 të tjera janë kujtuar fillet kur kishte nisur me veç katër punonjës të rregullt e koha kur nuk lejohej të punonte.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se jeta dhe veprimtaria e Institutit janë të lidhura ngushtë me fatin e popullit që e përfaqësonte. Ka thënë se shqiptarët në kohën e ish-Jugosllavisë edhe mund të gëzonin të drejta njerëzore e kombëtare, porse të nesërmen pasonin dënimet me shumë vjet burg. Dhe, sipas tij, të njëjtin fat e pati edhe Instituti Albanologjik. Në këtë rast ka shtuar se megjithatë kishte qenë një fazë kur kishte marrë hovin dhe kishte nisur edhe më seriozisht punën.
“Pas ndryshimit të klimës politike në Jugosllavi, rënies së Rankoviqit nga pushteti në fund të viteve ’60, ra deri diku edhe presioni i ashpër serbomadh mbi shqiptarët. Këtë e dëshmon edhe rifillimi i punës së Institutit Albanologjik, edhe një datë tjetër sinjikative, 28 shkurt 1968, me drejtor Fehmi Aganin dhe bashkëpunëtorët Idriz Ajetin e Rexhep Qosjen”, ka thënë Kurti në fjalën e tij.
Sipas kryeministrit, atëkohë kishin nisur studimet në shumë fusha si në gjuhësi, histori, folklor e etnologji. Ka thënë se rrjeti i bashkëpunëtorëve ishte zgjeruar e ishin shtuar cilësia e numri i punimeve e botimeve shkencore. E pikërisht atëherë kur kishte nisur të jehonte shkenca e arti, Instituti ishte sulmuar.
“Por, për fat të keq, kthimin e kohërave të errëta për popullin shqiptar e dëshmoi prapë sulmi që iu bë Institutit Albanologjik nga policia serbe më 8 mars 1994, kur me dhunë, të rrahur e të përgjakur, punonjësit e tij u nxorën nga zyrat dhe u hodhën në rrugë. Të gjithë e mbajnë mend figurën krenare dhe fytyrën e përgjakur të drejtorit, profesorit Sadri Fetiu, kontributi i të cilit është i jashtëzakonshëm, duke iu falënderuar një zelli të pandalshëm që kishte. Edhe në këto kushte jashtëzakonisht të rënda, Instituti nuk e ndali punën, deri kur, pas luftës, u kthye në objektin e vet, në të cilin edhe ne po e shënojmë këtë 70-vjetor”, ka thënë Kurti, derisa ka shtuar se do të vazhdojë mbështetja e Qeverisë për këtë institucion.
Akademik Rexhep Qosja, i cili në vitin 1969 ishte zgjedhur bashkëpunëtor shkencor i Institutit, ka thënë se pushteti i atëhershëm e sidomos administrata e Sigurimit Shtetëror apo që njihet më së miri si UDBA i kishte sjellë shumë dëme Jugosllavisë pasi kishte dëmtuar lidhjet mes republikave dhe se kishte zbatuar dhunë në shumë institucione e individë.
“Në mënyrë të veçantë, sigurimi shtetëror i Jugosllavisë ka ushtruar dhunë të veçantë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Qëllimi ka qenë të bëhet i mundshëm dëbimi i një numri sa më të madh të shqiptarëve nga Kosova. Me nisjen e shkarkimit të shefave të institucionit kishte ndikuar shpejtimi i krijimit të institucioneve të shkencës e kulturës në Kosovë. Ç’është e vërteta, Kosova kishte Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë”, ka thënë Qosja.
Sipas akademikut e shkrimtarit Qosja, Instituti duhet të ketë parasysh të dëgjohet emri i institucionit sikurse të jenë të dëgjuara pakënaqësitë e problemet e tij.
“Shpesh na paraqitet si obligim që Instituti të mos heshtë, siç ka kohë që nuk hesht. Duhet të shfaqim mendimin më gjerësisht. Shkenca dhe artet nuk janë të veçanta, janë në shërbim të popullit. Qëllimi i tyre është ta bëjmë më të kuptimshme, më të pasur jetën dhe vëmendjen e popullit në përgjithësi. Arti dhe shkenca kanë bërë detyrën themelore: si ta bëjnë jetën e njerëzve më të mirë”, ka thënë Qosja në fjalën e tij.
Drejtori i Institutit të Albanologjisë, Hysen Matoshi, ka vlerësuar se ndër treguesit e përparimit të vendit a kombit është niveli i zhvillimit të shkencës. Ka përmendur se pavarësisht pasojave që mund të vinin nga pushteti jugosllav i kohës, themelimi i Institutit ishte pritur me entuziazëm të madh. “U bënë përpjekje të jashtëzakonshme për të institucionalizuar dijet shkencore mbi gjuhën shqipe, kulturën dhe të kaluarën e shqiptarëve, ndonëse veprohej me një numër të vogël punonjësish dhe në rrethana tejet të vështira të funksionimit. Katër punonjës të rregullt dhe 10 bashkëpunëtorë të jashtëm, të prirë nga drejtori Elhami Nimani, dhe profesor Selman Riza punuan me profesionalizëm e vetëmohim për të nxjerrë në dritë kontributet e para albanologjike”, ka thënë Matoshi para të pranishmëve.
Ai ka theksuar se ishte zhbërë Instituti, por jo edhe ideja për të pasur një institut të studimeve shqiptare.
“Historia e Institutit Albanologjik është në të vërtetë një histori në miniaturë e shqiptarëve të mbetur në pushtimin jugosllav. Sa më shumë të drejta që fitonte Kosova brenda Federatës Jugosllave, aq më shumë avancohej edhe pozita e tij si institucion kërkimor-shkencor”, ka thënë drejtori i Institutit, Hysen Matoshi.
Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skënder Asani, ka vlerësuar se Instituti i Albanologjisë paraqet shkallën më të lartë të shkencës me një varg arritjesh brenda dhe jashtë vendit.
“Pa prekur bërthamën e fermentimit kombëtar në vetëdije shkencore qëndroi stoik përballë furtunave të kohës dhe njëkohësisht nuk e ndryshoi kursin e orientimit kombëtar me një vetëdije shkencore që ishte drejtpërdrejt në funksion të aspiratave liridashëse të Kosovës’, ka thënë Asani.
Sipas studiuesit Asani, Instituti gjithashtu qe faktor i shtetndërtimit të Kosovës. “Instituti Albanologjik i Prishtinës për shumë dekada ishte në shërbim të çështjes kombëtare dhe si i tillë ky Institut, bashkë me elitën intelektuale e shkencore të Kosovës, përshpejtuan procesin e shtetndërtimit. I ndodhur në kampusin e Universitetit të Prishtinës për shumë dekada ishte nervatura më aktive e përçimit të ideve që herë kishin trajtën e hulumtimeve shkencore, herë të botimeve të veçanta, e herë të konferencave me karakter gjithëkombëtar”, ka vlerësuar ai.
Edicioni i 14-të i Javës së Albanologjisë sivjet është festuar pikërisht në shënimin e shtatë dekadave të veprimtarisë së Institutit. Sesioni i parë ka nisur me Degën e Historisë.
Studiuesi e arkeologu Naser Ferri ka prezantuar kumtesën e tij me temë “Kontributi i Sektorit të Arkeologjisë në veprimtarinë shkencore të Institutit Albanologjik”.
“Me gjithë kushtet, rrethanat dhe ngjarjet e vështira politike e historike të atëhershme në të cilat ka kaluar dhe mbijetuar Instituti, punonjësit e sektorit të Arkeologjisë kanë vepruar në fushën hulumtuese shkencore dhe kanë dhënë kontributin e vet në fushën arsimore”, ka thënë Ferri.
Sipas tij, pos punës në dhjetëra lokalitete në tërë Kosovën gjatë viteve të paraluftës, e sidomos pas vitit 1999, punonjësit e fushës së arkeologjisë kanë dhënë kontribut të konsiderueshëm në veprimtarinë botuese të Institutit.
Ferri e ka vënë theksin në fillet e fushës së arkeologjisë në vend sa u përket punimeve e publikimeve shkencore.
“Falë mbështetjes dhe ndihmës së drejtorit të atëhershëm të Institutit Albanologjik, Sadri Fetiu, në kohët e turbullta në vitin 1996 është botuar vepra e parë arkeologjike në historinë e Institutit Albanologjik dhe ndër të parat në gjuhën shqipe në Kosovë – ‘Statusi shoqëror ekonomik i të liruarve në provincën romake Moesia Superior’ i Naser Ferrit”, ka thënë ai.
Studiuesja Ledia Dushku nga Akademia e Studimeve Albanologjike në Shqipëri ka marrë pjesë me kumtesën “Kontributi i profesor Shkëlzen Raçës në studimet shqiptare”. Në prezantimin e saj, Dushku ka thënë se fokusi i punës shumëvjeçare të profesor Shkëlzen Raçës kanë qenë marrëdhëniet e shqiptarëve me grekët që nga shekulli XIII e deri në fillim në vitin 1912, kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë. “Në qasjen metodologjike që ai ka përdorur në shkrimin dhe analizën e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Tek të tre librat e tij vihet re një analizë cilësore dhe kryqëzim i dokumentacionit të përzgjedhur në arkiva dhe literaturës së shumanshme. Hulumtimi gërshetohen bukur burimet shtetërore me shtypin e kohës. Përdorimi i bibliografisë së larmishme, si një tipar i veçantë i metodologjisë së kërkimit në studimet e profesor Raçës lejon evidentimin e të përbashkëtave dhe dallimeve në rrugëtimin e shqiptarëve dhe grekëve”, ka thënë studiuesja Ledia Dushku, derisa ka cituar nga kumtesa e saj.
Dushku ka thënë se studimet e Raçës kanë trajtim ndërdisiplinor pasi, sipas saj, ndërthurin historinë politike me gjendjen diplomatike, ekonomike dhe sociale.
“Për të arritur objektivat e kërkimit, profesor Raça ka zbatuar hetimin e fokusuar në qasjen mikro dhe makro në dy nivele: në vendimmarrjen që vjen nga lart, rrjedhojë e linjave të politikës së jashtme greke, që pas vitit 1844 formatohet tërësisht mbështetur në Megali Idenë, por edhe osmane që nuk kanë stimuluar bashkëpunimin e shqiptarëve me grekët; kontaktet reale që realizohen nga popullsia shqiptare dhe greke, rrjedhojë e së cilës ka qenë presioni që është ushtruar nga poshtë mbi politikën shtetërore greke dhe atë osmane”, ka cituar Dushku duke vlerësuar se kjo praktikë e studiuesit Raça ka sqaruar në masë të rëndësishme mënyrën se si linjat e institucionalizuara të politikës së jashtme greke kanë ndikuar në praktikë në krijimin e imazhit të shqiptarëve”, ka thënë ajo.
Studiuesi Memli Krasniqi ka prezantuar temën “Albanologjia në rrethanat e reja të revolucionit teknologjik dhe informativ: përparësitë dhe mangësitë”. Sipas tij, nëpërmjet teknologjisë krijohet njëfarë baze e madhe e të dhënave për studiuesit me materiale të rëndësishme për identitetin kulturor e shkencor në vend. “Procesi i digjitalizimit, fillimisht i literaturës artistike, religjioze e shkencore, së cilave u kishte kaluar periudha 70-vjeçare e më shumë e së drejtës se autorit, mundësoi qasjen e tyre për publikun e gjerë dhe në rend të parë studiuesve për të cilët më parë ishin të paqasshme ose vështirë vihej te këto materiale. Gradualisht është bërë digjitalizimi edhe i dokumenteve e materialeve të tjera arkivore, si dhe publikimi në formatin digjital të shumë përmbledhjeve me dokumente, studimeve, revistave e të tjera”, ka thënë Krasniqi.
Në kumtesën e tij ka vlerësuar se efektet teknologjike janë të dyfishta. “Në anën tjetër është lehtësuar hulumtimi në arkivat dhe bibliotekat online, por mbi të gjitha, në arkivat me traditë, si ai osman në Stamboll; Arkivi anglez ne Londër”, ka cituar Krasniqi nga kumtesa.
Nail Draga ka prezantuar kumtesën me titull “Kontributi i V.Zmajeviqit në albanologji-gjeografi historike”. “Për Zmajeviqin dihen dy çështje kyç dhe angazhimet e tij për shqiptarët në përgjithësi. Njëri ka të bëjë me atë se ka qenë organizatori kryesor i Kuvendit të Arbrit në vitin 1703 dhe këtë vit është jubilar, është 320-vjetori i organizimit të tij. Dhe çështja e dytë ka të bëjë me kontributin e tij në lidhje me emigrimin dhe vendosjen e shqiptarëve në Zarë nga viti 1726 e 1735”, ka thënë Draga për temën e tij që e përmbylli sesionin e historisë të hënën në mesditë.
Në kuadër të këtij sesioni kumtesat i prezantuan edhe Nehat Krasniqi me temën “Karakteri i zhvillimeve historike shqiptare nga shekulli XVIII deri në vitet ’40 të shekullit XIX dhe rëndësia e kësaj periudhe për Albanologjinë”; Marenglen Verli nga ASA, me kumtesën “Kërkimi shkencor në Shqipëri me fushat e albanologjisë – Vështrim krahasues midis instituteve shkencore dhe universiteteve”, si dhe Ylber Hysaj me “Arbanomi nga përurimi i katedrales së Kotorit më 1166: më shumë se simbolikë”.
Gjithashtu në kuadër të sesionit janë shpalosur edhe punimet e Feti Mehdiut me temën “Hasan Kaleshi dhe kritika shkencore 1953 – 2023 në faqet e shtypit tonë” dhe Edmond Malaj me temën “Kontributi i Pjetër Bartlit për historinë e Kishës Katolike në trojet shqiptare gjatë periudhës osmane”.
Në shënim të 70-vjetorit të Institutit Albanologjik është shfaqur edhe dokumentari i shkurtër “Ruajtja e së kaluarës, frymëzimi i së ardhmes” për rrugëtimin ndër vite të institucionit. Në të është potencuar se sfidë mbetet mosfinancimi i botimeve dhe mungesa e kuadrove.