Inspektorati shtetëror i Kroacisë ka njoftuar për KOHËN se nga mostrat që ishin marrë nga verërat me origjinë nga Kosova, analizat kishin konfirmuar se ato janë të falsifikuara.
Nga Inspektorati është thënë se sipas ligjit, palët përgjegjëse mund të kërkojnë kryerjen e një analize të dytë. E nëse rezultati del ndryshe, atëherë mund të kërkohet edhe një analizë e tretë të bëhet nga një laborator i autorizuar.
“Lidhje me pyetjen tuaj për verërat me origjinë nga Kosova, të cilave u janë marrë mostrat gjatë inspektimit bujqësor nga Inspektorati Shtetëror i Republikës së Kroacisë, dhe të cilat analiza të mostrave kanë treguar se janë verëra të falsifikuara, ju informojmë se procedurat nuk kanë përfunduar ende. Në përputhje me dispozitat e nenit 93 të Ligjit për verërat, palët përgjegjëse për cilësinë e verës mund të kërkojnë kryerjen e një analize të dytë për nevojat e palës, dhe nëse rezultati i dytë i analizës nuk është në përputhje me rezultatin e analizës së parë, inspektori kompetent mund të paraqesë një referencë të tretë për analizë në një laborator të autorizuar”, është thënë nga Inspektorati, që nuk ka dhënë informacione për prodhuesin apo importuesin e verërave.
Mediumi kroat “Veçernji List” kishte raportuar se 80 për qind e mostrave të analizuara të verërave nga Kosova sivjet kanë treguar se bëhet fjalë për verëra të falsifikuara.
“Katër mostra u morën nga Kroacia, një nga Italia dhe nëntë nga shtete të treta – pesë nga Kosova, tri nga Maqedonia e Veriut, dhe një nga Bosnja e Hercegovina. Pretendimet që kanë përsëritur prodhuesit tanë të verërave më në fund janë konfirmuar – nga pesë verërat kosovare, katër ishin false. Edhe ajo nga Bosnja e Hercegovina doli të jetë e rreme, siç ishin dy nga Kroacia”, thuhej në shkrimin e mediumit kroat.
Edhe
Shoqata e vreshtarëve e quan propagandë lajmin se verërat e Kosovës janë “sheqer e ujë”
Kryetari i shoqatës së vreshtarëve të Kosovës, Hamid Makshana, në emisionin “60 Minuta” në KTV, e kishte quajtur propagandë të shteteve fqinje, lajmin e mediave kroate se verërat e Kosovës përmbajnë “ujë dhe sheqer” në vend të rrushit.
“Si kryetar i shoqatës së vreshtarëve të Kosovës, jam shumë i shqetësuar për këto informacione të rreme, denigruese, nënçmuese e linçuese që na bëhen neve. Kuptohet që Rahoveci si komunë njihet për cilësinë e tokës dhe me të gjitha elementet e nevojshme për prodhimin e rrushit, konkretisht të hardhisë së rrushit. Unë po them si shoqatë e vreshtarëve, jo vetëm sasia e rrushit, por edhe cilësia e rrushit, që tri vite që jam duke e përcjellë, është mjaft e mirë dhe mjaft e pëlqyer. Mirëpo kjo është propagandë e vendeve të rrethit të Ballkanit, konkretisht të Maqedonisë së Veriut, Serbisë e Malit të Zi që me këtë propagandë mundohen të na ulin e të na fyejnë”, ka thënë Makshana.
-
Mediumi kroat zbardh “megamashtrimin”: Kosova në vend të verërave shet “sheqer e ujë”
-
Prodhuesit dhe Oda Ekonomike kritikojnë Qeverinë për trajtimin ndaj prodhimeve vendore
-
Rreth 4 milionë euro vlera e qumështit dhe produkteve të tij të importuara nga tri shtete të rajonit
-
Prodhuesit vendorë dalin me pesë kërkesa për institucionet