Arbëri

Shoqata e vreshtarëve e quan propagandë lajmin se verërat e Kosovës janë “sheqer e ujë”

Kryetari i shoqatës së vreshtarëve të Kosovës, Hamid Makshana, e ka quajtur propagandë të shteteve fqinje, lajmin që ka qarkulluar të mërkurën se verërat e Kosovës përmbajnë “ujë dhe sheqer” në vend të rrushit.

Mediumi kroat “Veçernji list” botoi t՞ martën një shkrim, në të cilin pretendohet se verërat e Kosovës janë false, bazuar siç u tha në testet e kryera në këtë vend.

Makshana ka thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së se kjo është propagandë që po bëhet për ta dëmtuar prodhimtarinë e verërave të Kosovës.

“Si kryetar i shoqatës së vreshtarëve të Kosovës, jam shumë i shqetësuar për këto informacione të rreme, denigruese, nënçmuese e linçuese që na bëhen neve. Kuptohet që Rahoveci si komunë njihet për cilësinë e tokës dhe me të gjitha elementet e nevojshme për prodhimin e rrushit, konkretisht të hardhisë së rrushit. Unë po them si shoqatë e vreshtarëve, jo vetëm sasia e rrushit, por edhe cilësia e rrushit, që tri vite që jam duke e përcjellë, është mjaft e mirë dhe mjaft e pëlqyer. Mirëpo kjo është propagandë e vendeve të rrethit të Ballkanit, konkretisht të Maqedonisë së Veriut, Serbisë e Malit të Zi që me këtë propagandë mundohen të na ulin e të na fyejnë”, ka thënë Makshana.

Ai ka shtuar se ekspertët e analizave të tokës kanë vlerësuar se komuna e Rahovecit i posedon të gjitha elementet bazë për zhvillimin cilësor të rrushit dhe të hardhisë së rrushit.

“Ne e ruajmë këtë kulturë me fanatizëm të madh. Këto shtete kanë propagandën e zhvilluar për të na shkatërruar tash edhe në këtë formë, sepse mjaft kanë përdorur propaganda të ndyra. Nuk e di ku e kanë gjetur atë mostër që vera e Kosovës është sheqer dhe ujë”, është shprehur Makshana.