Arbëri

Infektivja s’ka vend më, shfrytëzohen klinikat tjera për hospitalizim të pacientëve me COVID-19

Një 70-vjeçar nga Komuna e Vushtrrisë, e i cili ishte i infektuar me Covid-19, ka vdekur mbrëmjen e së dielës.

Sipas njoftimit të Klinikës Infektive, ai ishte pranuar për trajtim më 13 qershor, dhe kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Derisa, në këtë Klinikë këtë të hënë kanë marrë trajtim 90 persona, e që është numri më i lartë që nga shfaqja e rasteve të para në Kosovë, raporton KOHA.

5 persona vazhdojnë të jenë në gjendje kritike.

Infektologu Valbon Krasniqi tutje ka treguar se tashmë kanë filluar të shfrytëzojnë edhe hapësirat e klinikave të tjera.

E vetëm për një javë Kosovës i janë shtuar 683 raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin në 2 mijë e 169, prej tyre 1 mijë e 47 janë shëruar.

Të dielën sërish janë shënuar shifra të larta, me 96 raste të reja të konfirmuara.

Komuna më e prekur nga koronavirusi për momentin është ajo e Prishtinës, e cila ka 392 raste aktive.

Nga kjo e hënë janë hapur edhe 4 pika kufitare në kuadër të lehtësimit të masave.

KOHA ka kontaktuar me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, në lidhje me kapacitetet që ka Kosova për menaxhim të situatës, mirëpo ai ka thënë se duhet t’i drejtohemi Zyrës për media, pasi që ai nuk detaje, por edhe zyra e MSH-së nuk është përgjigjur.

Në lidhje me shtimin e rasteve me COVID-19, në Kosovë, ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, e cila e ka quajtur shqetësuese këtë.

Ndërkohë që e diela ka shënuar shifra rekorde, në botë për numrin më të madh të të infektuarve me më shumë se 180 mijë raste të reja, duke shënuar rritjen më të madhe ditore që nga fillimi i pandemisë, sipas OBSH-së.

Me 4 mijë e 743 persona që kanë vdekur vetëm të dielën nga COVID-19 në tërë botën, numri i përgjithshëm ka mbërritur në 461 mijë e 715.