Arbëri

Pritet rekomandimi i ekspertëve për masa të reja anti-COVID

Në 2 mijë e 184 është rritur numri i rasteve aktive me koronavirus në Kosovë, teksa në 24 orët e fundit janë evidentuar dy vdekje dhe 175 të prekur të rinj nga sëmundja COVID-19. Me gjithë rritjen e numrit të të infektuarve, nga Ministria e Shëndetësisë është bërë e ditur se për masa eventuale parandaluese do të pritet rekomandimi i ekspertëve

Dy persona kanë vdekur e 175 raste të reja të infektimit me koronavirus janë evidentuar të martën, në fluksin e ri të përhapjes së sëmundjes COVID-19 në Kosovë.

Pas disa muajsh me numër të ulët të të infektuarve, bilanci i rasteve të reja ditore ka nisur që të rritet theksueshëm qysh nga fundi i qershorit.

Aktualisht, në nivel vendi, aktive janë 2 mijë e 184 raste.

Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, ka njoftuar se në këtë klinikë të hospitalizuar kanë qenë 11 pacientë, porse pesë prej tyre do të lirohen gjatë ditës.

“Në Klinikën Infektive tani i kemi 11 pacientë. Gjatë ditës do t’i lëshojmë edhe 5 pacientë dhe mbesin në repart 6 pacientë. Tani e kemi një pacient që do ta transferojmë nga qendra emergjente në mjekimin intensiv të Klinikës infektive. Kemi kapacitet prej 125 pacientëve dhe për momentin kemi vetëm 6 pacientë të shtrirë”, ka thënë ai.

Pavarësisht fluksit të shtuar të rasteve, krahas rekomandimit për bartjen e maskave mbrojtëse, nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë ndërmarrë masa më strikte për frenimin e përhapjes.

Nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN, nga Ministria është bërë e ditur se masat eventuale do varen prej rekomandimit të ekspertëve dhe të trupit këshillëdhënës për COVID-19.

“Momentalisht, ka mjaft shtete me situatë më të rënduar epidemiologjike sesa Kosova, por që nuk kanë ndërmarrë kufizime të mëdha, për shkak se variantet aktuale përhapen shpejt gjithsesi. Por në aspektin klinik nuk kanë shkaktuar mbingarkesë të madhe të spitaleve”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Masa më efektive kundër koronavirusit, sipas Ministrisë, është vaksinimi. Porse, me gjithë rritjen e rasteve, numri i të vaksinuarve ka mbetur i ulët.

Gjatë së martës, doza të vaksinave kanë marrë vetëm 13 persona.