Trendi rritës i rasteve me COVID-19 po vazhdon tash e dy javë në Kosovë. Për 15 ditë, numri i rasteve aktive është 11-fishuar.
Më 20 qershor, numri i rasteve aktive me COVID-19 ishte 110. Më 5 korrik është 1.244.
Rritja e numrit të infektimeve, ka rritur edhe numrin e shtrimeve në spital.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, të martën, 25 pacientë po marrin trajtim për COVID-19 në spitalet e Kosovës.
MSH-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen me dozën e radhës të vaksinës anti-COVID, për siç thonë ata, parandalimin e infeksioneve të reja.
“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen me dozën e radhës të vaksinës kundër COVID-19, për të parandaluar infeksione të reja, forma të rënda të sëmundjes nga COVID-19 dhe vdekjet”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Në 24 orët e fundit janë dhënë vetëm 95 vaskina në gjithë Kosovën.
Që nga fillimi i pandemisë, në Kosovë janë shënuar 230.054 raste pozitive e si pasojë e kësaj kanë vdekur 3.140 persona.
