Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i ka bërë thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) që në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të tij, të shpallë konkursin për Kryeprokuror të ri të Shtetit.
IKD ka theksuar se shpallja e këtij konkursi dhe zhvillimi i një procesi meritor do të ishte një sinjal adekuat i shenjave pozitive të reformës në KPK.
“Kosova është pa Kryeprokuror të Shtetit që nga prilli i vitit 2022. Kështu, tani po bëhen katër vjet që kur Prokurori i Shtetit funksionon me u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit. Më 17 tetor 2023, Presidentja e Republikës së Kosovës ka njoftuar se nuk e ka dekretuar kandidatin e propozuar nga KPK për Kryeprokuror të Shtetit, duke e kthyer këtë proces në KPK. Fatkeqësisht, që nga ajo kohë, KPK nuk ka vepruar në drejtim të zhvillimit të një procesi meritor dhe transparent për përzgjedhjen e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit”, thuhet në komunikatën e Institutit.
Sipas IKD-së, tash kur KPK është funksionalizuar sipas reformës së re, ndër veprimet e para të saj duhet të jetë shpallja e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit dhe zhvillimi i një procesi transparent dhe meritor, ashtu që emri i Kryeprokurorit të Shtetit të mos dalë nga një proces i kontestuar.
“Në të kundërtën, vazhdimi i kësaj gjendjeje do të thellonte më tej zbrazëtinë institucionale në krye të Prokurorit të Shtetit dhe do të dëmtonte besimin publik në funksionimin e pavarur dhe efektiv të vetë KPK. Prandaj, KPK duhet të veprojë pa vonesë për të nisur dhe zhvilluar një proces të rregullt, transparent dhe meritor për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit”, thuhet më tej nga IKD.
Aktualisht, ushtrues detyre i kryeprokurorit të shtetit është Agron Qalaj.
-
Kërkohet shpallja urgjente e konkursit për Kryeprokuror të ri të Shtetit
-
Pesë kandidatë plotësojnë kushtet për pozitën për kryeprokuror
-
Shpallet konkurs për kryeprokuror të Shtetit pas 4 vjetësh “bllokadë”
-
Merret vendimi për shpallje të konkursit për Kryeprokuror të Shtetit
-
Më në fund, Kosova bëhet me kryeprokuror të Shtetit