Gazetari Visar Prebreza ka vlerësuar se futja e bizneseve të mesme dhe të mëdha në tregun e lirë të energjisë elektrike ka ardhur si befasi për shumicën prej tyre, pasi nuk kishin pritur që Qeveria do ta zbatonte realisht këtë vendim.
Ai ka theksuar se planifikimi i dobët institucional ka ndikuar që as bizneset dhe as furnizuesit të mos jenë të përgatitur për ndryshimin.
“Bizneset nuk e kanë pritë sepse nuk kanë menduar se e ka seriozisht Qeveria se mund të dalin në treg të lirë pjesa e bizneseve të mesme dhe të mëdha. Kjo ka qenë si të them, askush nuk ka besu, e tash kur po flasim se furnizuesit a kanë kapacitete, mendoj se furnizuesit nuk kanë kapacitete se deri tash nuk kanë pasur punë. Ata zyrtarisht kanë qenë të licencuar por deri tash nuk kanë pasur punë sepse i ke pasur 2-3 kompani në tregun e lirë. Kompanitë e tjera nuk kanë pasë kujt me i shitë, nuk kanë pasur klientë”, ka theksuar Prebreza në “Konfront”.
Aliu: Më 2017 u ul TVSH-ja për produktet bazë, por çmimet u rritën
Profesori i tregjeve financiare Florin Aliu, ka thënë se në vitin 2017 ndonëse ishte ulur TVSH-ja për produktet bazë, çmimet ishin rritur.
“Në vitin 2017 a 2017, u ul TVSH-ja për produktet bazë. Vaj, miell, sheqer e këto. Çmimet u rritën. Pse? Sepse ti TVSH-ja është taksë obligative, por ndaj pagesës ndaj qeverisë, por jo ndaj çmimit. Bizneset në këtë mënyrë thanë, ti po ma ul TVSH-në, pse me ul unë çmimin se kam obligative”, tha Aliu në “Konfront” të KTV-së.
Aliu: Për liberalizim të tregut është dashur periudhë më e gjatë transitore
Profesori i tregjeve financiare, Florin Aliu, ka shprehur kritika ndaj mënyrës së implementimit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike për kompanitë e mëdha në Kosovë.
Ai vlerëson se ky proces është dashur të përcillet me një periudhë më të gjatë transitore dhe me më shumë konsultime me sektorin privat.
“Për liberalizim të tregut është dashur periudhë më e gjatë transitore. Kur t’i adaptohesh me vendimin, sepse me një sen që nuk je mësu... janë sene të reja. Edhe nëse e ka propozu Komisioni Evropian, pak rëndësi ka. Nuk ka nevojë as Komisioni Evropian, as Banka Botërore të më tregojë për ekonominë e Kosovës, unë e di qysh funksionon”, ka thënë Aliu në “Konfront”, duke iu referuar kalimit në tregun e hapur të energjisë të kompanive me mbi 50 punëtorë apo mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor nga 1 qershori.
Aliu theksoi se qeveria është dashur të ketë dialog të drejtpërdrejtë me bizneset përpara zbatimit të këtij vendimi, duke nënvizuar pasojat që mund të ketë kjo masë për kompanitë e mëdha dhe stabilitetin ekonomik.
“Energjia është sektori më problematik, jo vetëm në Kosovë. Ka shumë para të zeza në këtë sektor. Pres prej ministrave me qenë më transparentë”, ka thënë ai.
Ibrahimi: Shumë pak kompani do të mund t'i mbijetojnë tregut të lirë të energjisë
Ilir Ibrahimi, drejtor menaxhues i Klubit të Biznesit, ka thënë se shumë pak biznese do të mund t’i mbijetojnë tregut të lirë të energjisë.
Ai ka thënë se vetëm KESCO është ofertues sepse pavarësisht se ka kompani të tjera të licencuara për furnizim me rrymë, ato nuk kanë kapacitete për kompani të mëdha.
“Ka ndodhur dje në një qytezë janë mbyllur tri fabrika. Janë diku 250 punëtorë që janë detyruar të shkojnë në shtëpi. Ky është vetëm fillimi. Këto paralajmërime janë bërë të ditura në çdo takim nga Qeveria me bizneset. Ka pasur deklarime të drejtpërdrejta se nëse liberalizimi i tregut fillon me këto çmime që po paraqiten në treg. Ne ditën e parë do ta mbyllim sepse nuk mund të mbijetojmë... Do të jetë një sfidë shumë e madhe dhe shumë pak biznese, sidomos ato prodhuese, do të mund t’i mbijetojnë kësaj”, ka thënë ai në “Konfront” në KTV.