Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve, Kushtrim Ajvazi, ka thënë se kostoja për energjinë elektrike për bizneset që kanë dalë në treg të lirë është shumë e madhe. Siç ka thënë ai, kostoja është e papërballueshme për bizneset, sidomos ato prodhuese.
Ajvazi ka theksuar se kompanitë “e kanë të pashmangshme rritjen e çmimit të produkteve të tyre”.
Sipas tij, dalja në treg të lirë ka ndodhur për shkak të rënies së prodhimit të energjisë elektrike nga KEK-u.
“Sipas hulumtimeve që kam bërë, kam pa që nga muaji prill e tutje prodhimi i energjisë elektrike nga KEK ka ra dukshëm. Konsumi i energjisë elektrike nuk është se ka rritje. Po çka ka ndodhë? Ka ndodhë, njoftimi ka ardhur në mars, ngutia për të dalë në treg të lirë, prodhimi i energjisë nga termocentralet ka diferencë shumë të vogël. Por çka ka ndodhë nga prilli deri në qershor, kemi 42% rënie të prodhimit të energjisë nga KEK-u. Kemi 94% të importit vetëm në periudhën tremujore... Këto janë paratë tona që po dalin jashtë”, ka thënë ai.
Ajvazi ka shtuar se nga 1,300 kompanitë që kanë dalë në treg të lirë, vetëm 300 prej tyre e plotësojnë kriterin ligjor për treg të lirë. Ai ka insistuar se 1,000 kompani të tjera dhunshëm janë vendosur në tregun e lirë, edhe pse për qindra prej tyre priten vendime nga gjykata.
“Janë 1300 kompani që kanë dalë në treg të lirë dhe nga to ligjërisht e plotësojnë kriterin ligjor vetëm 300 kompani, 1000 nuk e plotësojnë kriterin për dalje në treg të lirë”, ka potencuar ai.