Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ibrahimi: Murati po sillet me arrogancë ndaj komunave

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, e ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, se po sillet me arrogancë dhe injorancë ndaj komunave, ndërsa ka thënë se komunat kanë legjitimitet të plotë në kërkesat e tyre.

AKK-ja bëri një reagim të hënën duke kërkuar miratimin e Qarkores së dytë buxhetore për komunat nga Qeveria. Të martën, ministri Murati reagoi duke thënë se mosmiratimi i Qarkores nuk po pengon investimet nga komunat.

“Gjithmonë, qeveritë e kaluara e kanë lëshuar Qarkoren e dytë kah java e dytë e muajit korrik. Komunat duhet ta përgatisin më herët hartimin e buxhetit komunal. S’është diçka që bëhet për dy-tre ditë. Është reagimin legjitim i komunave. Hekuran Murati është një ministër që sillet me arrogancë dhe injorancë ndaj komunave. Nuk na kthen asnjëherë përgjigje. Nëse do të kishim përgjigje, çështja s’do të bëhej mediale”, ka thënë Ibrahimi në “Interaktiv” të KTV-së.

Ibrahimi thotë se sipas legjislacionit në fuqi nëse deri më 1 shtator komuna nuk ua prezanton hartimin e buxhetit Kuvendit Komunal, më 2 shtator, sipas drejtorit të AKK-së, Murati ka të drejtë të dërgojë një administrator financiar për t’ia marrë kompetencat kryetarit të komunës. 

“Deri më 1 shtator janë të obliguar ta paraqesin para Kuvendit Komunat buxhetin komunal. Ekziston klauzola që e din ministri, më 2 shtator ta dërgojë një administrator financiar nëpër komuna duke ia marrë kompetencat kryetarëve të komunave, nëse s’është gati hartimi buxhetor. A ta themi ne këtë? A të bëhemi konspiracionist që Murati po e do këtë?”, shtoi ai.

Ibrahimi e ka konsideruar shqetësuese për të gjithë qytetarët e Kosovës faktin se nga buxheti janë shpenzuar vetëm 11 për qind për investime kapitale.

“Nuk po e kuptojmë. Nëse ka investime në nivel lokal, përmirësohet jeta e qytetarit, mund të ketë investime nga jashtë. I kemi bërë disa shkresa që të takohemi për temat që janë brengë e komunave. Jemi të gatshëm për dialog të sinqertë. Por hasim në vesh të shurdhër. Nuk marrim asnjëherë përgjigje”, u shpreh ai.

Në fund, Ibrahimi kërkoi nga Qeveria “vetëm bashkëpunim korrekt, asgjë më shumë”.

 

Artikuj të ngjashëm