Arbëri

Ibrahimi: Qeveria në vazhdimësi ka ndërhyrë në kompetencat e komunave

Sazan Ibrahimi

Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, teksa ka kritikuar deklaratën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, se nuk do t’iu japë buxhet "kryetarëve që nuk dijnë të punojnë apo vjedhin", ka theksuar se Qeveria në detyrë, gjatë mandatit të saj, në vazhdimësi ka ndërhyrë në kompetencat e komunave.

Ibrahimi në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka deklaruar poashtu se gjatë kësaj periudhe nuk kanë pasur as dialog me ta. Kërkesën për grantin e katërt, Ibrahimi thotë se ministri aktualisht në detyrë Hekuran Murati e ka tërhequr pas dy-tri javësh dhe nuk ka pasur vullnetin ta shtyejë përpara pavarësisht rëndësisë që Ibrahimi thotë se ka granti për komunat.

“Komuna e Ferizajt e ka dërguar kërkesën për përkrahje financiare nga Ministria e Arsimit për ndërtimin e çerdheve. Përgjigjja ka qenë, jo ne ndërtojmë çerdhe në zona urbane jo rurale. Vlerësimi i kryetarëve dhe komunave është që ku ka nevoja të qytetarëve ata i adresojnë në nivelin nacional. Tash shtrohet pyetja, pse Ministria e Arsimit duhet të merret me ndërtimin e çerdheve? Prandaj ne kemi kërkuar që këto mjete financiare le të shkojnë në ‘grantin e katër’ dhe pastaj në bazë të nevojave të komuna, ato le të shpërndahen. Ministria e Arsimit duhet të merret me avancimin e cilësisë së arsimit, jo me ndërtimin e çerdheve. Prandaj po kërkojmë dialog me qeverinë, të lulemi dhe të bisedojmë. Këto katër vite s’kemi pasur kurrëfarë dialog, e kemi kërkuar ‘grantin e katërt’ në takim me komunat. Kryetari Agim Aliu e ka kërkuar në emër të të gjitha komunave dhe jo në zyrën e qeverisë por në hotele private. Pas dy-tri javësh ministri në detyrë Hekuran Murati e ka tërhequr. Nuk e ka vullnetin ta shtyej përpara këtë proces”, ka deklaruar Ibrahimi.

E sa i përket miratimit të projektbuxhetit nga ana e Qeverisë për vitin e ardhshëm, ku 1 miliard euro janë paraparë për investime kapitale, Ibrahimi thotë se nuk ka mundësi që këto mjete të jenë për komunat.