Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ibrahimi: Ministri Murati ka tentuar t’i marrë 100 milionë euro nga komunat

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, e ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, ka tentuar t’i marrë 100 milionë euro nga komunat.

I ftuar të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Ibrahimi ka thënë se tendenca për t’ia marrë mjetet komunave nga të hyrat vetanake të pashpenzuara nga niveli qendror është parë për herë të parë në këtë qeverisje.

“Është për herë të parë që në historinë e Republikës së Kosovës niveli qendror ka pasur tendencë t’ia marrë mjetet financiare nga të hyrat vetanake të pashpenzuara komunave. Kjo tendencë ka qenë ekskluzivisht nga ministri Murati. Vitin e kaluar në projektpropozimin e parë të projektligjit për buxheti e vitit 2023 ka qenë e paraparë që të gjitha të hyrat vetanake të pashpenzuara nga komunat të merren dhe të bëhen pjesë e buxhetit total të Republikës së Kosovës. I kemi mobilizuar komunat pasi e kemi vërejtur atë tendencë. Të hyrat vetanake të komunave duhet të barten në vitet e tjera fiskale”, ka thënë ai.

Sipas tij, po të miratohej ligji siç është kërkuar nga ministri Murati, komunave me automatizëm do t’i merreshin rreth 100 milionë euro.

“Po të miratohej ligji ashtu siç ministri Murati kërkonte, atëherë komunave sipas deklaratës së tij, me automatizëm do t’i merreshin rreth 100 milionë euro. Pastaj ndodhi që në ligjin final të miratuar nga Parlamenti, aty thuhej se mjetet financiare të pashpenzuara të vitit 2022 mund të barten. Vetëm këtë vit ka ndodhur që niveli qendror synimin e ka pasur që t’ia marrë komunave këto mjete ku shuma totale do të ishte 100 milionë euro, por me atë ndryshim tash kanë mbetur rreth 37.5 milionë euro, mjete të cilat kanë mbetur pezull nga niveli qendror”, ka shtuar ai.

Sipas tij, nëse këto mjete merren, do të ketë shkelje të rëndë ligjore.

“Këto mjete nëse merren atëherë njëmend kemi një shkelje të rëndë ligjore. Edhe tani që po i mbajnë pezull janë duke kryer shkelje ligjore. Nëse preket buxheti i komunës, duhet konsultuar me komuna”, është shprehur ai.

Edhe Ibrahimi: Qeveria të mos ua marrë komunave paratë e të hyrave vetjake Arbëri Ibrahimi: Qeveria të mos ua marrë komunave paratë e të hyrave vetjake

Ibrahimi më tej ka folur edhe për faturat e tatimit në pronë, për të cilat tha se do të jenë shumë më të larta sesa në vitin 2022.

Sa i përket pagave të kryetarëve me Ligjin për pagat, ai tha se në disa raste pagat e kryetarëve të komunave janë zvogëluar.

“Ka kryetarë të komunave që e kanë pagën më të ulët sesa drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare. Në bazë të numrit të banorëve janë edhe pagat. Ka raste që nënkryetari i një komune e ka pagën më të lartë se kryetari i një komune tjetër”, ka thënë ai.