Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoxhaj: PDK-ja shumë shpejt do ta ketë emrin që do i prijë listës zgjedhore

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Ai para mediave ka deklaruar se së shpejti partia e tij do ta ketë emrin e kandidatit që do i prijë listës zgjedhore.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është ngjarje e shpejtë dhe ne nuk e kemi folur një temë të tillë në PDK. Por ne shumë shpejtë do të dalim me kandidatin që do t’i prijë listës. Në këtë kohe kemi pasur unitet të brendshëm”, ka thënë tutje Hoxhaj.

Hoxhaj para mediave ka deklaruar se vendimi i Kushtetueses ishte i pritur me faktin që kriza e shkaktuar në vend ka ndikuar në jetën e qytetarëve. Duke kritikuar Qeverinë Hoti dhe Kurti, Hoxhaj ka deklaruar se PDK-ja është e gatshme të shkojë në zgjedhje dhe ka programin më të mirë për qeverisje.

“Si PDK jemi të gatshëm për zgjedhje dhe të bindur se ne e ofrojmë programin e duhur për qeverisje. VV dhe LDK-ja kanë dështuar që ta menaxhojnë pandeminë, numri i vdekjeve është më i larti në rajon, vendi ka qenë më i izoluar se kurrë. Një Qeveri Hoti u dorëzua para Serbisë dhe hoqi dorë nga zgjerimi i sovranitetit të Kosovës. Të dy Qeveritë i kanë cenuar raportet tona me shtetet mike dhe i kanë përçarë raportet me Shqipërinë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Edhe Hoxhaj: S’e përjashtoj mundësinë që Kurti pas zgjedhjeve ta përmbysë rendin kushtetues Arbëri Hoxhaj: S’e përjashtoj mundësinë që Kurti pas zgjedhjeve ta përmbysë rendin kushtetues

Ai ka thënë se PDK-ja në këto zgjedhje e ka prioritet zhvillimin e ekonomisë, derisa ka përmendur që dy partitë e mëdha që kanë qeverisur gjatë këtij viti, i kanë mashtruar qytetarët e Kosovës.

“Ajo çka ka ndodhur në këta muajt e fundit është degradimi më i madh që i kanë shkaktuar vendit këto dy qeveritë. Asnjë qytetar i Kosovës nuk e ka merituar këtë degradim, asnjë familje, asnjë biznes mbylljen e bizneseve dhe përgjegjëse janë dy qeveritë që e kanë udhëhequr vendin në vitin e fundit”, ka shtuar ai.