Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoxha: Kosova prioritet i përhershëm i Shqipërisë

Ferit Hoxha

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun nga Shqipëria, Ferit Hoxha, me të cilin kanë përmendur thellimin e partneritetit strategjik dhe forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. 

Hoxha, përmes një postimi në platformën “X”, ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Tiranës zyrtare për Kosovën, duke theksuar se ajo mbetet prioritet i përhershëm i politikës së jashtme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai ka përmendur edhe zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, që përfshijnë heqjen e masave kufizuese të bllokut.

“Vlerësova zhvillimet e fundit, përfshirë heqjen e masave kufizuese nga Bashkimi Evropian si një hap të rëndësishëm që krijon një moment të ri dhe shumë premtues në marrëdhëniet Kosovë–BE, me bindjen se ky zhvillim do të pasohet nga hapa të tjerë pozitivë në rrugën evropiane të Kosovës, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat”, ka shkruar Hoxha. 

Hoxha ka theksuar se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm Kosovën në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

“E sigurova z. Konjufca për mbështetjen tonë të palëkundur në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, si për sa i përket zgjerimit të gjeografisë së njohjes, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, ashtu edhe për përparimin e proceseve të saj integruese evropiane dhe euroatlantike. Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Kosovën, sot dhe gjithmonë. Në këtë frymë, rikonfirmova gatishmërinë time dhe të Ministrisë për një bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në funksion të avancimit të objektivave të përbashkëta”, ka shkruar më tej ai.