Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, pas takimit me homologun e tij nga Shqipëria, Ferit Hoxha, ka deklaruar se takimet me përfaqësuesit e Shqipërisë janë të rregullta dhe me karakter vëllazëror, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë mes dy shteteve.
“Takimet tona janë gjithmonë vëllazërore, të rregullta dhe të përhershme. Me shtetin shqiptar kemi komunikim të vazhdueshëm lidhur me objektivat tona të përbashkëta shtetërore e kombëtare”, ka thënë Konjufca.
Ai theksoi se koordinimi i politikës së jashtme mes Kosovës dhe Shqipërisë është i lehtë, pasi të dyja vendet përfaqësojnë interesat e të njëjtit komb.
“Të koordinosh politikën e jashtme mes dy shteteve si Kosova dhe Shqipëria është gjëja më e lehtë sepse përfaqësojmë interesat e të njëjtit komb, prandaj edhe politika jonë e jashtme është unike”, u shpreh ai.
Konjufca tha se orientimi strategjik i të dy vendeve mbetet rruga euroatlantike dhe vlerat perëndimore, të cilat sipas tij janë përcaktim i kombit shqiptar.
Edhe
Haxhiu ministrit të Jashtëm të Shqipërisë: Ju keni qenë zëri ynë kur Kosova nuk kishte zë
“Orientimet strategjike kah vlerat perëndimore dhe rruga euroatlantike është përcaktim i kombit shqiptar dhe në këtë rrugëtim vendet tona janë përkrah njëra-tjetrës”, deklaroi ai.
Ai u shpreh besimplotë se Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian brenda dy apo tri viteve, duke e cilësuar këtë si arritje për kombin shqiptar.
“Për Kosovën anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të ishte inspirim, por edhe një shans i madh përfitues në aspiratën tonë eurointegruese”, tha Konjufca.
Ai shtoi se në takime janë diskutuar një varg çështjesh dhe se ka kërkuar mbështetjen e Shqipërisë për përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Edhe
“Shqipëria në BE, Kosova më e sigurt”, Hoxha flet pas takimit me Konjufcën
“Kosova ka ndërtuar dhe po forcon kapacitetet e mbrojtjes dhe është e gatshme të bëhet pjesë e kësaj strukture të sigurisë”, u shpreh ai.
Konjufca theksoi gjithashtu se mbështetja e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian është shumë e rëndësishme për Kosovën, duke potencuar se marrja e pyetësorit dhe hapja e negociatave me Bashkimin Evropian janë jetike.