Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti: Zgjedhim ‘zgjedhje të reja’ në vend të nënshtrimit politik

Avdullah Hoti

Foto: Driton Paçarada

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se nuk duhet thirrur në emrin e një kandidati për president kur ai është tërhequr, duke iu referuar Bekim Sejdiut.

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar sot në një konferencë për media se Bekim Sejdiu mbetet kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për president. Sejdiu u tërhoq nga kandidimi kur marrëveshja me LDK-në për emrin e tij, u shkel nga gjashtë deputetët e këtij subjekti.

Për këtë, Hoti është shprehur se dakordimi mes dy kryetarëve (Kurtit e Abdixhikut), nuk mund të shndërrohet në urdhër për deputetët e Kuvendit.

“Si mund të thirret dikush në një marrëveshje kur vetë personi i përfshirë në atë marrëveshje është tërhequr nga kandidatura?! Një dakordim mes dy kryetarëve të partive nuk mund të shndërrohet në urdhër për deputetët e Kuvendit. Kushtetuta është shumë e qartë: deputetët, si përfaqësues të popullit, nuk i nënshtrohen asnjë detyrimi”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Hoti i cili është në mesin e gjashtë deputetëve që refuzuan ta votojnë kandidatin Sejdiu, ka thënë se janë të gatshëm ta votojnë një kandidat nga LDK-ja për president, dhe se zgjedhin ‘zgjedhje të reja’ në vend të siç tha - nënshtrimit.

“Marrëveshjet politike mund të ndryshohen. Ne jemi gati të votojmë një kandidat nga Lidhja Demokratike të Kosovës, sepse vetëm kështu sigurohet balanca e pushteteve. Ne zgjedhim “zgjedhjet e reja” në vend të nënshtrimit politik”, ka thënë Hoti në reagimin e tij.

Edhe “Pezullohen” bisedimet VV-LDK për presidentin, pas tërheqjes së Sejdiut Arbëri “Pezullohen” bisedimet VV-LDK për presidentin, pas tërheqjes së Sejdiut

Bekim Sejdiu, emri i të cilit u dakordua në një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së si kandidat për president, e tërhoqi kandidaturën duke thënë se pati mungesë të votave parlamentare për t’u zgjedhur. Po ashtu ai deklaroi se ka devijim të tërë procesit. 

Numrat për të mbërritur 80-votëshin nga kjo marrëveshje u bënë të pasigurt kur gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër marrëveshjes.