Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se pas Qeverisë, edhe Kuvendi i Kosovës ka nisur sot funksionimin jokushtetues.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se me mbajtjen e mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit, në mungesë të një nënkryetari, edhe Kuvendi i Kosovës ka nisur funksionimin jokushtetues. Ka shtuar se dy aktgjykimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe vetë Kushtetuta specifikojnë se Kuvendi i Kosovës konstituohet kur zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët, duke mos lënë hapësirë interpretimi nëse ndonjëri nga nënkryetarët e Kuvendit nuk zgjidhet.
“Ndërkaq, Qeveria e Kosovës në detyrë është duke funksionuar në mënyrë jokushtetuese që nga certifikimi i zgjedhjeve nga ana e KQZ-së, pasi anëtarët e Qeverisë që janë certifikuar si deputetë nuk mund të ushtrojnë poste ministrore. Ky nuk është opinion, por fakt sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme të datës 26 qershor 2025, i cili mbi këtë arsyetim e shpalli të paligjshëm një udhëzim administrativ të Ministrit të Financave”, ka thënë ai.
Sipas tij, manovrat politike jokushtetuese të një partie anarkike do t’i kushtojnë vendit.
“Do të na kushtojë edhe fakti se kemi një presidente që nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë në krye të detyrës. Kushtetuta e obligon atë të sigurojë funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit. Jo vetëm që nuk e kryen këtë obligim, por ajo i lë edhe institucionet e tjera pa bartës, siç është rasti me mosemërimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Që nga data 26 qershor 2025, kur doli vendimi i Gjykatës Supreme, asnjë fjalë nuk e ka thënë. As tani, kur Kuvendi i Kosovës po nis funksionimin jokushtetues, nuk e dëgjojmë të thotë një fjalë”, ka thënë ai.