Arbëri

“Hidrodrini” rrit shkallën e gatishmërisë pas paralajmërimeve për vërshime

Pas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës për vërshime të mundshme gjatë së hënës në disa komuna të Kosovës, janë angazhuar ekipet në terren për ndërmarrjen e masave parandaluese.

Kompania rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini”, ka njoftuar për ngritjen e shkallës së gatishmërisë pas këtyre paralajmërimeve për vërshime të mundshme.

“Kryeshefi Ekzekutiv i KRU ‘Hidrodrini’, Agron Tigani, ka nxjerrë vendim të rritjes së shkallës së gatishmërisë dhe vetëkontrollit në komunat respekive dhe të njëjtin vendim ua ka komunikuar edhe shefave të njësive përkatëse të KRU 'Hidrodrini' në Deçan dhe Junik”, thuhet në njoftimin e kompanisë në ‘Facebook’.

Më tej njoftohet se në të dyja komunat, ekipet e terrenit kanë marrë masat e para dhe janë duke u koordinuar në bashkëpunim të ngushtë edhe me autoritetet komunale respektive.

“Shkalla prevenuese e gatishmërisë është ngritur edhe në tërë zonën e mbulueshmërisë! Në secilin rast që konsumatorët e shohin të nevojshme asistencën në ndonjë shërbim apo koordinimin, luten t’i drejtohen njësive përkatëse në komunat e tyre”, thuhet në njoftim.