Arbëri

Lladrovci paralajmëron hapa ligjorë ndaj KRU “Prishtina”

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci

Komuna e Drenasit e cila ditëve të fundit është përballur me përmbytje si pasojë e të reshurave të dendura të shiut, ka paralajmëruar padi ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Pas vërshimeve, KRU “Prishtina” e kishte ndaluar furnizimin me ujë në këtë komunë, mirëpo kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka paralajmëruar hapa ligjorë për mosfurnizim të rregullt me ujë të pijshëm, duke e quajtur vështirësi të veçantë ndërprerjen e ujit për disa ditë dhe gjithashtu rrezik për ndonjë katastrofë humanitare.

“Vështirësi e veçantë është furnizimi me ujë të pijes për disa ditë në një pjesë të territorit të komunës dhe mund të shkaktohet katastrofë humanitare. Lidhur me furnizimin me ujë, qytetarët duhet të drejtohen pranë Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”. Kryetari i Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se Komuna do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj KRU “Prishtina”, për mosfurnizim të rregullt me ujë të pijshëm”, thuhet në postimin në Facebook të Komunës së Drenasit.

Drenasi është në mesin e katër komunave prej më të prekurave nga vërshimet e ditëve të fundit. Përmbytjet kanë shkaktuar dëme në ekonomi familjare e në biznese. Si rrjedhojë, problemet në kanalin “Ibër-Lepenc” kanë lënë pa ujë qytetet që furnizohen nga KRU “Prishtina”, përkatësisht nga fabrika e ujit në Shkabaj. Kjo përfshinë Mitrovicën, Drenasin, Obiliqin dhe Fushë-Kosovën.

Edhe Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike më 6 janar pati njoftuar se ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike në Drenas, Malishevë dhe Rahovec. Sipas njoftimit të publikuar në Facebook nga KEDS-i bëhej e ditur se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rrezikut të krijuar është ndërmarrë masa për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në zonën e Drenasit, për arsye sigurie. Më vonë ishte rikthyer në funksion.