Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu: Jemi në koordinim me deputetë të LVV-së për ta proceduar projektkodin civil

Para se ta procedojë në Kuvend për miratim, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, synon të sigurohet se Projektkodi Civil ta ketë përkrahjen që i duhet. Haxhiu të mërkurën ka bërë të ditur se janë në koordinim me deputetët e pushtetit për një gjë të tillë, derisa thotë se nuk është në të mirë të Kosovës, dështimi i serishëm i miratimit të Projektkodit Civil

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi se është në koordinim me deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje rreth sigurimit të votimit në Kuvend të Projektkodit Civil.

Miratimi i Projektkodit nuk është arritur gjatë marsit të shkuar, shkaku i kundërshtimeve rreth nenit që e rregullon bashkësinë civile mes personave të gjinisë së njëjtë.

E që dokumenti të marrë miratim, Haxhiu tha se krahas koordinimit me Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes, do të nevojitet edhe mbështetja e deputetëve nga opozita.

“Ju e dini se unë kam dhënë qëndrim sa i përket Kodit Civil dhe unë kam dhënë qëndrim sa i përket rrëzimit nga ana e Kuvendit, megjithatë ka qenë nën mandatin e tyre që ta vlerësojnë ashtu. Paraprakisht ne duhet të sigurohemi që Kodi Civil kalon dhe për këtë arsye kjo na ka marrë kohë sepse jemi në koordinim me deputetët e Grupit Parlamentar dhe natyrisht se kemi nevojë edhe për ndihmën e opozitës”, ka thënë Haxhiu.

Ndonëse nuk ka dhënë hollësi lidhur me diskutimet që janë duke u zhvilluar me deputetët, Haxhiu ka thënë se mosmiratimi i Projektkodit Civil nuk është mirë për Kosovën.

Edhe Haxhiu s’është e sigurt nëse i kanë votat për Projektkodin civil Arbëri Haxhiu s’është e sigurt nëse i kanë votat për Projektkodin civil

“Tendenca apo synimet tona janë që të kalojë dhe të mos e ketë fatin që e ka pasur në të kaluarën. Nuk mendoj që është mirë për Kosovën, që ne pretendojmë që të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës, që mos ta votojmë në dokument që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, prandaj uroj që të kalojë në Kuvendin e Kosovës”, ka shtuar ajo.

Bazuar në planin legjislativ për sivjet, Qeveria synon që Projektkodin Civil ta miratojë deri në fund të muajit qershor.