Arbëri

Qeveria e bindur se Projektkodi Civil kalon në Kuvend pa ndryshuar nenin “problematik”

Projektkodi civil dështoi të miratohej në mars të këtij viti, pasi nuk mori përkrahje as nga deputetë të pushtetit. Si arsye u përmend pika e dytë e nenit 1138, që lejon bashkësitë civile mes personave të seksit të njëjtë. Ministrja Albulena Haxhiu, në një konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, tha se nuk ka zmbrapsje dhe foli për rëndësinë që, sipas saj, ka miratimi i Projektkodit Civil. Ky nen kishte shkaktuar debat edhe jashtë Kuvendit, në shoqërinë civile dhe në rrjete sociale

Deputetët pritet ta kenë së shpejti para vetes për votim Projektkodin Civil pa ndryshim të nenit që çoi në mosvotim të tij muaj më parë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk ka treguar se kur do të procedohet në Qeveri e më pas edhe në Kuvend për votim, por ka shprehur bindjen, të mërkurën, se ai do të kalojë kësaj here.

Projektkodi Civil dështoi të miratohej në mars të këtij viti, pasi nuk mori përkrahje as nga deputetë të pushtetit. Si arsye u përmend pika e dytë e nenit 1138, që lejon bashkësitë civile mes personave të seksit të njëjtë.

Haxhiu, në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, tha se nuk ka zmbrapsje dhe foli për rëndësinë që, sipas saj, ka miratimi i Projektkodit Civil.

“Kjo bazohet në takimet qe i kemi pasur me Grupin parlamentar dhe me deputetët. Unë nuk them në asnjë mënyrë se secili prej deputetëve do të votojë për, ka ende disa që kanë qëndrimet dhe bindjet e tyre, por them edhe një herë që Qeveria dhe Grupi parlamentar në shumicë angazhohet në avancimin e të drejtave të njeriut, jo vetëm për hir tonin si shtet, por edhe për hir të proceseve në të cilat ne kemi aplikuar”, ka thënë Haxhiu. “Aplikimi në Këshillin e Evropës është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe për t’u bërë anëtar duhet të respektohen së pari të drejtat e njeriut. Prandaj unë besoj që do ta kemi mbështetjen jo vetëm të grupit të VV-së, por edhe të opozitës”.

Ky nen kishte shkaktuar debat edhe jashtë Kuvendit, në shoqërinë civile dhe në rrjete sociale.

Në konferencë ajo ka folur edhe për Marrëveshjen me Danimarkën për transferimin e të burgosurve në Kosovë. Sipas saj, shkaku i zgjedhjeve në vendin skandinav mund të mos procedohet me ratifikimin e saj.

“Gjithçka është finalizuar dhe shumë shpejt pritet që të dërgohet në Qeveri. Çështja është se atje do të ketë zgjedhje në fund të vitit dhe çështja tjetër është se nuk e di nëse duhet të procedojmë për faktin se meqë ka atje zgjedhje, nuk do të duhej që ne të ngutemi që ta procedojmë këtë marrëveshje”, tha ajo.

Në mbledhjen e së mërkurës të ekzekutivit, Haxhiu prezantoi edhe Projektligjin për ekspertët gjyqësorë, veprimtaria e të cilëve tha se për herë të parë rregullohet me ligj.

“Me ligj po rregullojmë se çfarë është eksperti, kush mund të kryejë ekspertizë, si licencohet eksperti, tarifat e ekspertëve, kodi i etikës së tyre dhe çështje të tjera”, tha ajo në prezantimin e këtij projektligji.

Ndërkohë, anëtarët e kabinetet qeveritar kanë miratuar ndarjen e mbi 4 milionë eurove për blerjen e barnave nga Lista esenciale.

Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, bëhet fjalë për kërkesën e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për ndarjen e mjeteve shtesë për sigurimin e barnave esenciale deri në fund të vitit.

Në mesin e vendimeve të Qeverisë ishte edhe subvencionimi prej 92 mijë eurosh i Samitit të Ballkanit Perëndimor, që të martën u mbajt në Prishtinë.

Kabineti qeveritar ka përfshirë në programin legjislativ për këtë vit edhe miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për provimin e maturës shtetërore, derisa ka ndryshuar afatin e miratimit të Projektligjit për shërbimin e jashtëm, Projektligjin për protokollin e shtetit dhe Projektligjin për diasporën.

Përkrahje ka marrë edhe formimi i Këshilli Organizativ për shënimin e 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe nisma për negocim të marrëveshjes me Republikën e Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në hartimin e planit të detajuar për ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë.