Organizatat që avokojnë për të drejtat e komunitetit LGBTQ kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë në Kushtetuese projektkodin civil nëse në të nuk rregullohet martesa mes sekseve të njëjta. Herën e parë, në mars të vitit të shkuar, dështoi miratimi i këtij projektkodi, shkaku i nenit 1.138, që lejonte bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta
Ministria e Drejtësisë nuk ka përgjigje se kur do ta procedojë për miratim në Qeveri projektkodin civil, i cili u kthye në pikën zero pas dështimit për t’i marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës, në mars të vitit të kaluar.
Që nga prilli, Ministria ka dhënë informacione të pakta, lidhur me ndryshimet që janë bërë në këtë kod, pas mospërkrahjes së tij edhe nga deputetë të pushtetit.
Me gjithë konfirmimin se janë bërë ndryshime në nenin që nxiti mospajtime e debat të madh, atë për lejimin e bashkësive të regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta, MD-ja nuk ka shpalosur detaje edhe në këtë fillimvit.
“Drafti i kodit civil tashmë pothuajse është i finalizuar, me ndryshimet adekuate edhe në nenin 1138. Shumë shpejt, posa të finalizohet nga Zyra e kryeministrit, i njëjti do të jetë publik dhe do të procedohet për votim. Lidhur me ekspertët e angazhuar në këtë projektkod ‘Projekti i BE-së për mbështetje për Kodin Civil- Faza 2’, ju informojmë që kanë qenë të angazhuar ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë, të mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Sqarime se kur do të hidhet në votim nuk ka ofruar as Zyra e kryeministrit.
E për ndryshimet e bëra në nenin 1138, nuk janë të njoftuara organizatat që avokojnë për të drejta të komunitetit LGBT.
Arbër Nuhiu, drejtor në Qendrën për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSDG), thotë se nga informatat që ka, në projektkodin civil nuk është rregulluar çështja e martesës mes sekseve të njëjta.
“Ne jo që s`kemi qenë pjesë, por ne as nuk jemi duke e ditur, e as nuk po na japin informacion çfarë ndryshimesh janë bërë, nëse është bërë ndonjë ndryshim. Janë tepër të mbyllur”, ka thënë ai.
Sipas tij, në rast të mosrregullimit, çështjen do ta adresojnë në Gjykatën Kushtetuese. “Na e çojmë në Gjykatë Kushtetuese, është i vetmi opsion për të na rregulluar këtë çështje nëse pushteti nuk ka guxim dhe as vullnet ta rregulluar. Janë institucionet e tjera, siç është Gjykata Kushtetuese. Ne jemi shumë të sigurt që Gjykata Kushtetuese ka për të dhënë vendim pozitiv për ne, për atë që ne jemi duke avokuar”, ka shtuar Nuhiu.
Nuhiu ftoi deputetët që në momentin kur të votojnë prapë, ta kenë parasysh, siç tha ai, interesin shoqëror, e jo atë personal.
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ndryshimet eventuale, mund të kuptohen pasi të miratohet projektkodi nga kabineti qeveritar.
Po ashtu është shprehur e bindur se projektkodi civil do të miratohet me sukses kësaj radhe, ndonëse nuk dha hollësi lidhur me vullnetin e deputetëve në pushtet për këtë çështje.
Në mars të vitit të kaluar, 17 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk e mbështetën miratimin e projektkodit civil, shkaku i nenit i cili rregullonte bashkësinë civile mes sekseve të njëjta.
“Sikurse të kishte pasur një mobilizim të natyrës tjetër në raport me prezencën me votime, ne edhe herën e parë do të kishim pasur sukses. Megjithatë besoj që është një legjislacion, vlerën e miratimit të të cilit e kanë kuptuar edhe të tjerët. Dhe natyrisht shpresoj që edhe opozita të jetë pjesëmarrëse në ditën e votimit, pa marrë parasysh asaj se çka mendon. Besoj që është një projektligj i cili duhet ta ketë mbështetjen e deputetëve të Kuvendit përkundrejt pozicioneve pozitë-opozitë”, ka thënë Kusari-Lila.
Sipas saj, projektkodi ka qenë i planifikuar që të procedohet për miratim në Kuvend vitin e kaluar, por që “për që dinamika e zhvillimeve në pjesën e dytë të vitit” nuk e mundësoi këtë.
Thirrje për të miratuar projektkodin civil kanë bërë edhe nga Bashkimi Evropian. “BE-ja ka dhënë këshilla në mbështetje të hartimit të Kodit Civil në përputhje me vlerat e BE-së. Kodi Civil do të kontribuojë në sigurimin e të drejtave themelore të të gjithë qytetarëve në Kosovë. Ndër të tjera, ai synon t’i rregullojë çështjet e pronës, pronësisë, marrëdhënieve familjare, detyrimeve dhe trashëgimisë. Si i tillë, ai do të rrisë më tej barazinë gjinore dhe do të promovojë zhvillimin ekonomik. Ne i bëjmë thirrje Kosovës që ta miratojë Kodin dhe rikonfirmojmë mbështetjen tonë për zbatimin e tij”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Nga 77 deputetë sa ishin prezentë në mars, 61 morën pjesë në votim. Prej tyre 29 ishin kundër, 28 për dhe 4 abstenuan.