Arbëri

Haxhiu: Draftstatuti s’është autonomi, po të varej nga Kurti do të publikohej qysh dje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se draftstatuti i Asociacionit të Komunave më shumicë serbe i propozuar nga ndërkombëtarët nuk është nuk përmban autonomi për serbët në Kosovë.

Ajo në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë, ka theksuar se Qeveria nuk do të lejojë krijimin e një shteti brenda shtetit të Kosovës.

“Nuk ka asnjë autonomi, nuk do të ketë autonomi në Republikën e Kosovës, Kosova është shtet i pavarur dhe nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që të ketë një shtet tjetër brenda shtetit tonë”, është shprehur Haxhiu.

Ajo ka thënë se Kurti i ka njoftuar në vija të trasha për propozimin evropian-amerikan, në mbledhjen e fundit të Vetëvendosjes dhe në Grupin Parlamentar të LVV-së.

Haxhiu ka thënë se po të varej nga Kurti draftstatuti do të bëhej publik, por se është kërkesë e ndërmjetësuesve që kjo të mos bëhet.

“Kurti është partner serioz që i trajton me respekt dhe konsideratë kërkesat e ndërmjetësve ... Sa për kryeministrin Kurti teksti mund të ishte publik që dje, por kjo nuk mund të ndodhë dhe për këtë arsyet i ka dhënë kryeministri Kurti. Ai ka qenë për aq sa ka qenë e mundur transparent sa i përket draftstautit edhe në Kuvendin e Kosovës, sepse ju e dini që ka kërkesë që drafit të mos bëhet publik”, është shprehur Haxhiu.


Haxhiu për Kodin Civil: Do ta procedojmë kur të sigurohemi s’do ta kemi përgjigjen e njëjtë

Ministrja Haxhiu në këtë konferencë ka folur edhe për arsyet e mosprocedimit në Kuvend të Kodit Civil të Kosovës.

“Nuk e kemi proceduar në Kuvend sepse nuk duam që ta kemi përgjigjen e njëjtë nga Kuvendi. Në këtë drejtim ne jemi duke punuar me grupin parlamentar, me deputetët e Kuvendit të Kosovës. Këtu obligim kanë edhe opozita. Ju e dini që Kodin Civil unë e kam gjetur kur e kam marrë detyrën, 85 për qind të punës së kryer. Nuk ka qenë një iniciativë që është bërë nga Qeveria e Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se përgjegjësi për miratim të këtij dokumenti ka edhe opozita.

“Është një dokument i rëndësishëm jemi pajtuar që ta shtyjmë përpara dhe qasja e opozitës për mua sigurisht që është e pajustifikueshme, sepse disa dokumente në këtë rast Kodi Civil po bëhet në Republikën e Kosovës atëherë adreson edhe çështje që janë me rëndësi për qytetarët do të duhej që të merrnin pjesë në votim. Ne do ta procedojmë kur të jemi të sigurt që nuk do ta kemi përgjigjen e njëjtë. Kodi Civil është i rëndësishëm sidomos në prag të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se ka folur mjaft edhe për deputetët e pushtetit të cilët nuk e kanë votuar këtë Kod.

“Nuk fola për deputetët e mazhorancës sepse kam folur mjaft. Përballë interesave të qytetarëve të Kosovës duhet të jemi të gjithë bashkë, pozitë e opozitë. Kodi Civil është I rëndësishëm andaj përgjegjësinë për mbështetjen e tij e kanë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ata përfaqësojnë interesat e qytetarëve të Kosovës, Kodi Civil ka avancime në raport me legjislacionin civil në republikën e Kosovës që është i aplikueshëm prandaj edhe presim që ta mbështesin të gjithë”, është shprehur Haxhiu.