Arbëri

Haxhimusa: Zgjidhja më e keqe reduktimet, institucionet të papërgjegjshme

Njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka thënë se në situatën në të cilën gjendemi, reduktimet në periudhë afatshkurtër janë e vetmja mënyrë për të ruajtur stabilitetin energjetik. Megjithatë, ai i ka cilësuar këto si zgjidhje të keqe në aspektin afatgjatë dhe si treguese e papërgjegjësisë institucionale.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, ai ka thënë se po të investohej me kohë në sistemin elektroenergjetik, qytetarët nuk do të gjendeshin në këtë situatë.

“Në situatën në të cilën gjendemi, në periudhë afatshkurtër është e vetmja mënyrë për të ruajtur stabilitetin e sistemit elektroenergjetik. Nëse e analizojmë nga pikëpamja afatgjatë kjo është një nga tragjeditë më të mëdha që mund t’i ndodhë Kosovës për shkak se ndërprerjet e energjisë elektrike përcillen edhe me kosto të tjera shoqërore e ekonomike. Pra, afatshkurtër e domosdoshme, afatgjatë këto avari të themi mund të evitohen nëse me kohë do të investohej në sistemin elektroenergjetik, në transmision dhe distribucion, jo në burime të reja energjetike. Kosova problem e ka edhe mungesën e gjenerimit. Këto ndërprerje që bëhen ne regjione të caktuara bëhen jo për shkak të mungesës së energjisë në tregje evropiane apo që ne nuk po mundemi ta sigurojmë, por është për shkak të mungesës së kapaciteteve për ta bartur deri te konsumatori vendor. Mungesa e kapaciteteve brenda për brenda Kosovës. Rrjeti KEDS e ka të pamundur ta bartë energjinë elektrike deri te konsumatori i fundit prandaj edhe bëhet ndërprerje”, ka thënë Haxhimusa.

Për shkak të mosinvestimit në kohën e duhur, Haxhimusa thotë se po bëhet thirrje për kursim të energjisë elektrike sepse mbingarkesa mund të shkaktojë edhe djegien e shtyllave elektrike.

“Nuk mund të dilet nga kjo situatë në periudhë afatshkurtër dhe kjo mbetet mënyra e vetme. Nëse qytetarët nuk e reduktojnë konsumin atëherë e vetmja mënyra është reduktimi për të shpëtuar nga ndonjë kolaps. Kemi shpesh raste që trafot por edhe telat e rrymës ndizen në flakë për shkak të mbingarkesës që e kanë. Për t’i eliminuar këto ngjarje ata detyrohen që ta ndërpresin energjinë elektrike. Parcialisht, regjione të caktuara mbesin pa rrymë për të pasur pjesa tjetër e regjioneve. Këto megjithatë janë metodat më të këqija të mundshme. Zgjidhja më e keqe janë reduktimet. Këtë metodë e kanë zgjedhur institucionet tona për shkak të papërgjegjësisë së tyre për ta menaxhuar situatën, duke e ditur që për shumë vite ky sistem është në këtë gjendje dhe për çdo vit kanë arsyetimet e njëjta por kurrë një zgjidhje për ta adresuar këtë situatë”, ka deklaruar Haxhimusa në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Njohësi i fushës së energjisë, Haxhimusa, po ashtu ka rekomanduar që të përdoren mekanizma të ndryshëm për t’i nxitur qytetarët që të kursejnë. Thirrjet aktuale, ai i ka quajtur “të thata”.

Pavarësisht që mbi 1 mijë biznese kanë dalë në treg të hapur të energjisë elektrike, Haxhimusa thotë se situata në raport me ngarkesën nuk ka ndryshuar sepse ata e shpenzojnë energjinë elektrike njësoj si më parë. Ajo që ka ndryshuar për ta, Haxhimusa thotë se është vetëm çmimi.

Në disa komuna të Kosovës qytetarët po përballen me ndërprerje të energjisë. Kjo po ndodh vetëm pak ditë pasi Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, paralajmëroi mundësinë e reduktimeve shkaku i mbingarkesës.