Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhimusa: Nëse hyjnë në fuqi tarifat e reja të rrymës rritja do të jetë 15 - 21 për qind

Adhurim Haxhimusa

Eksperti i energjisë elektrike Adhurim Haxhimusa beson se Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka reflektuar duke shtyrë për një muaj shqyrtimin e tarifave të reja të energjisë elektrike. Tarifat ishte paraparë të shqyrtoheshin më 1 prill por shqyrtimi është shtyrë për 1 maj. 

Ai në emisionin 60 Minuta të KTV tha se duket se ZRRE ka reflektuar pas presionit të publikut që është bërë me rritjen e tarifave në 4 vjetët e fundit. Ai ka thënë se për çdo vjet ka pasur rritje të tarifave. 
Haxhimusa ka thënë se shtyrja po ashtu është edhe reflektim i gjendjes në të cilën gjendet ZRRE, pasi ka mungesë të kapaciteteve njerëzore për të bërë analizë të tillë të shpejtë e adekuate. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Haxhimusa ka thënë se aprovohen tarifat e reja të kërkuara nga KEDS dhe KOSTT, atëherë do të ketë rritje të çmimeve të energjisë mes 15 dhe 21 për qind. 

“Po flasim për konsumator që konsumon 400 kilovat orë, me faturën aktuale paguan 30 euro, ndërsa me tarifa të reja – nëse ato aprovohen – do të paguajë 35 euro nëse është 15 për qind e 37.27 euro nëse është 21 për qind. E për konsumatorë që shpenzojnë 1000 kilovatë orë brenda muaji do të paguajnë shtesë mes 12 dhe 18 euro. Është barrë e madhe”, tha ai.

Ai ka thënë se ZRRE duket se nuk është e pajtimit të ketë rritje të tillë dhe synon ta analizojë në detaje dhe ky është lajm i mirë. 

Por ai ka thënë se duhet të jetë alarm për Kuvendin e Kosovës dhe Qeverinë që ta përkrahin ZRRE-në të ngrihet në kapacitetin e duhur për të bërë analiza të mirëfillta. 

Haxhimusa ndërkohë ka thënë se është papërgjegjësi e madhe se si operon KEK-ut. Ai i është referuar menaxhmentit të KEK-ut.

Ka thënë se vetëm gjatë vitit 2025 janë importuar 300 milionë euro energji elektrike, që është dyfishi i importit të energjisë për vitin 2024. 

“Ato para mund t’u jepeshin prodhuesve vendorë të energjisë solare dhe të erës...Shohim që Qeveria është total në gjumë e nuk aktivizohet absolutisht me gjet burime shtesë të energjisë”, tha Haxhimusa. 

Ai tha se mbi 70 për qind e kërkesave të bëra nga KEDS e KOSTT për rritje të tarifave të energjisë elektrike iu referohet importeve shtesë të bëra gjatë vitit 2025. 

“Pjesa tjetër janë kryesisht shpenzime operative. Për shpenzime të investimeve, investime nga të cilat përfiton qytetari drejtpërdrejt e sheh përfitim, pasi kemi përmirësim të gjendjes së sistemit elektro-energjetik, nuk përmendet”, tha ai. 

Ndërkohë lidhur me situatën e njehsorë të rrymës, ku janë raportuar devijime në orët e njehsorëve, Haxhimusa ka thënë se është befasi e madhe kjo. Ai tha se është detyrë e KEDS-it për të garantuar se njehsorët e tyre po bëjnë matjen e duhur. Ai ka thënë se njehsorët që janë në Kosovë, janë kualitet relativisht i ulët dhe janë të ndjeshëm ndaj luhatjeve në tension.

Sa i përket nëse duhen qytetarët të kompensohen, Haxhimusa tha se duhet të ketë një lloj kompensimi por është e vështirë të llogaritet.