Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se shteti duhet të krijojë mirëqenie për të ardhme të sigurt për rininë në Kosovë.
Në tryezën e organizuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së me temën “Liberalizimi i vizave dhe migrimi i qytetarëve” të hënën, Haradinaj ka thënë se perspektiva e të rinjve është një ndër brengat kryesore që ka sot Kosova dhe largimi i tyre duhet të trajtohet me urgjencë.
“Në tryezën e 8-të të diskutimit adresuam çështjen e migrimit të të rinjve. Për AAK-në, perspektiva e të rinjve në Kosovë është një ndër brengat kryesore që sot i ka vendi ynë. Largimi i të rinjve është një problem serioz që shteti do të duhej ta trajtojë me urgjencë. Sot kur Kosova gjendet në prag të një të drejtë të mohuar padrejtësisht, atë të liberalizimit të vizave, largimi i të rinjve bëhet edhe më shqetësues”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se Qeveria do të duhej të ndërtonte një 'Shtab Krize' për parandalimin e largimit të të rinjve.
“Lajmet e fundit të pasigurisë, mungesa e investimeve kapitale, mosveprimi i qeverisë për të futur paranë në qarkullim dhe pagat e ulëta janë problem që duhet urgjent të adresohen. Deri sa po flasim, qeveria do të duhej të ndërtonte një 'Shtab Krize' për parandalimin e largimit të të rinjve”, është shprehur më tej ai.