Nexhat Tovërlani
Reshjet e shiut kanë rritur nivelin e lumenjve e përroskave edhe në Komunën e Podujevës duke vërshuar disa fshatra. Zyrtarët komunalë thonë se krahasuar me situatën gjatë mbrëmjes së djeshme sot gjendja është e menaxhueshme dhe nën kontroll.
Po ashtu, sipas tyre, është liruar edhe rruga Orllan-Turiçicë që ishte bllokuar nga rrëshqitja e dheut si pasojë e këtyre reshjeve.
"Situata me vërshime në Komunën e Podujevës tani është nën kontroll dhe e menaxhueshme, jemi duke punuar me kapacitete të plota për të qenë pranë familjeve të rrezikuara nga përmbytjet. Vërshime ka pasur në shumë fshatra, më të prekurat janë: Perani, Pakashtica e Epërme, Dobërdoli, Repa dhe Murgulla", ka hënë Fatri Zhitia, zëdhënës i Komunës së Podujevës. "Nga mbrëmja e kaluar rruga Orllan-Turuçicë ka qenë e bllokuar, por pas intervenimit nga komuna, rruga është liruar për qarkullim".
Zhitia ka theksuar se janë duke punuar me katër ekipe në terren për t’iu dalë në ndihmë familjeve të rrezikuara nga përmbytjet.
"Po ashtu kemi ngritur edhe shtabin emergjent në gjendje gatishmërie për çfarëdo situate të krijuar", ka thënë ai.