Malisheva është një prej komunave më të prekura nga vërshimet e fundit. Shumë rrugë janë bllokuar nga rritja e nivelit të lumenjve e përroskave. Komuna u ka apeluar qytetarëve që të kenë kujdes dhe të shmangin sa më shumë lëvizjet e panevojshme.
Zyrtari për media në Komunën e Malishevës, Artan Paçarizi, ka konfirmuar se gjendja është rënduar pas daljes nga shtrati të lumit Mirusha. Ai ka thënë se gjendja megjithatë është e menaxhueshme.
Ekipet emergjente kanë evakuuar në gjashtë raste banorët nga shtëpitë e tyre.
“Në këto momente ka filluar të qetësohet pak situata pasi ka rënë niveli i ujit në lumin Mirusha dhe përroskave që derdhen në lumin Mirusha. Por gjendja është renduar pasi shumica e rrugëve janë të bllokuara nga uji, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Mirusha. Kemi pasur depërtim te ujit edhe në disa shtëpi në qytet, pra ne Malishevë dhe në fshatrat Bubavec, Lladroc dhe disa vende te tjera. Gjendja është bukur e rënduar, por megjithatë është e menaxhueshme. Ekipet emergjente kanë intervenuar në 6 raste për largimin e banorëve nga shtëpitë e tyre. Të gjithë janë sistemuar në vende të sigurta”, ka thënë ai.
Fotoreporteri i KOHËS Driton Paçarada përmes fotografive më poshtë sjell gjendjen në këtë komunë:
















