Vërshimet që ndodhën në muajin janar në Komunën e Podujevës kanë lënë prapa shumë dëme në fshatin Pakashticë e Epërme të Podujevës. Rritja e nivelit të ujit të lumit që kalon aty, ka bartur me vete edhe një pjesë të rrugës së asfaltuar të fshatit.
Në disa vende edhe pse asfalti ende është duke qëndruar, banorët thonë se kalimi mbi të është me rrezik, pasi uji e ka gërryer zhavorrin përfundi tij.
“Hapësira e tokës është shumë e madhe, lart janë ba grumbullime të shumta të ujit edhe lumi është rritur tej mase. Kështu që ka shkaktua edhe dëme të mëdha në rrugë, në infrastrukturën rrugore. Po shihen dëmtimet që janë ba, prishjet, dhe kështu njerëzit është rrezik me kalua, sidomos për fëmijët që shkojnë në shkollë”, tha Islam Aliu, banor i Pakashticës së Epërme.
Ai thotë se uji ia ka dëmtuar edhe rrugën private për në shtëpi, riparimi i së cilës i ka kushtuar rreth 3 mijë euro.
Përveç dëmeve në infrastrukturë, banorët ankohen edhe për ato në bujqësi. Pajazit Aliu thotë se pas vërshimeve, uji i lumit e ka devijuar shtratin dhe tash rrjedha kalon nëpër arën e tij.
“Këtu i kam 60 arë tokë, janë mbush me zallë, lumi kah u dasht me ecë po e shihni që është mshel sebep shelgjeve edhe llamit që e ka pru lumi prej nalt. Veç këtu diku 40 hektarë janë që i ka marrë me vërshime. Dëmin, kush prej Komune deri sot ardhë s’na ka”, tha Pajazit Aliu, banor i këtij fshati.
Drejtori për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi, ka thënë se fshati Pakashticë ka qenë ndër më të prekurit nga vërshimet.
“Është një projekt që për momentin nuk është që mundemi me intervenua, sepse fillimisht duhet ta bëjmë një projekt të mirëfilltë, pastaj të sigurojmë buxhetin për këtë punë dhe pastaj fillojnë punimet. Mirëpo sa u përket emergjencave, është një prej fshatrave që më së shumti është intervenua në të dhe pothuajse të gjitha rrugët janë ba të kalueshme. E dimë që janë të rrezikshme, e dimë që është një pjesë që paraqet rrezik për banorët, mirëpo mundësia deri më tani ka qenë kjo”, tha Bahri Selimi, drejtor për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Podujevës.
Selimi ka theksuar se dëmet nga këto vërshime janë rreth 2 milionë euro në infrastrukturë, rreth 400 mijë euro në ekonomi familjare, ndërsa ende nuk dihet vlera e dëmeve në bujqësi dhe në biznese.