Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës. Ai ka thënë se në Kosovë kërkohet kujdes dhe respektim i të drejtës ndërkombëtare, shkroi të hënën media greke “Protothema”.
Në një konferencë shtypi gjatë vizitës të së hënës në Vietnam, Dendias ka thënë se synimi i Greqisë është që të bëjë gjithçka që mundet për ta lehtësuar procesin e diskutimit dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Nuk më kujtohet sa herë, në dy vitet e fundit, kam vizituar Prishtinën dhe Beogradin. Po ashtu, siç dihet, Greqia merr pjesë në KFOR, forcën paqeruajtëse në Kosovë. Pra, ajo që kërkohet është kujdes, është respektimi i së drejtës ndërkombëtare. Gjithashtu kërkohet mjedis që do t'i lejojë Beogradit dhe Prishtinës të diskutojnë dhe zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre", ka thënë Dendias.
Dendias ka shtuar se stabiliteti dhe siguria në rajon dhe më gjerë, është me interes për diplomacinë greke.