Arbëri

Gollopeni: Sulmi fizik ndaj të moshuarës në Pejë nuk është rasti i vetëm

Profesori i Sociologjisë, në Universitetin e Mitrovicës "Isa Boletini", Besim Gollopeni, ka thënë se rasti i sulmit fizik ndaj të moshuarës në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë, nuk është rasti i vetëm i dhunës ndaj personave që kanë nevojë për përkujdesje.

“Ka qenë një prej ngjarjeve më shqetësuese të muajve të fundit, por nuk është rasti i vetëm i dhunës që ushtrohet ndaj personave që kanë nevojë për përkujdesje, apo personave që kanë nevojë për mbrojtje qoftë shoqërore apo institucionale”, është shprehur Gollopeni.

Sipas tij rasti i djeshëm ngre dyshimin se sa raste të tjera të kësaj natyre ndodhin e publiku nuk i di.

“Ky rast dhe rastet e tjera të tilla më së miri shpërfaqin atë se çfarë po ndodh me grupet e margjinalizuara në shoqërinë tonë. Ky është një rast që ne e kemi parë dje, sepse është bërë publik, por lind dyshimi se sa e sa raste mund të jenë të cilat nuk jepen, apo nuk i di publiku se çfarë po ndodh”, ka theksuar Gollopeni.

Në një deklaratë për KOHË-n, Gollopeni ka thënë se institucionet përgjegjëse duhet të alarmohen nga rasti i djeshëm.

“Kjo situatë do të duhej të ngreh alarmin institucional, që të shikojnë se çfarë institucionesh po licencojnë, po akreditojnë, po u japin mundësinë dhe besimin që të ushtrojnë veprimtarinë e edukimit, apo në këtë rast të kujdesit dhe sa institucionet po e bëjnë pastaj punë n e tyre në monitorim dhe zbatim të asaj për çfarë ato institucione e kanë marr licencën”, ka deklaruar Gollopeni.

Sociologu ka vlerësuar se rasti i të moshuarës në Pejë trefgon që personeli i këtij institucioni, nuk është i përgatitur si duhet për ofrim të përkujdesjes.

“Ana tjetër se si njerëzit punësohen në këto institucione të ndjeshme pa meritokraci, në forma dhe lidhje të ndryshme, në rastin apo dimensionin social, nuk janë të përgatitur për të ushtruar profesionin dhe detyrën e tyre, që kanë raport me kategoritë shoqërore të cilat i ka marr nën përkujdesje institucioni”, ka theksuar Gollopeni.

Ai ka thënë se rasti është edhe rezultat i arsimimit jo të duhur të infermiereve të institucionit.

“Pastaj edhe aspekti i kualifikimit të infermiereve në këtë rast, lë shumë për t’u dëshiruar, nëse ato janë të kualifikuara, pasi dyshoj që mund të jenë të kualifikuara, sepse po të ishin të kualifikuara mirëfilli për infermieri, jam i bindur që këtë nuk do ta shkaktonin”, është shprehur Gollopeni.

Ai ka theksuar se në sistemin arsimor në Kosovë, nuk bëhet mjaftueshëm për edukimin moral.

“Ne të gjithë sot diskutojmë në shoqëri se a duhet apo jo ta fusim mësimin për media, teknologji, apo besimin fetar dhe të tjera të ngjashme, por ne kemi harruar që realisht ne nuk po bëjmë mjaftueshëm për edukimin për qytetari, edukimin qytetar, edukimin moral, për sjellje, për etikë shoqërore, që janë kruciale e fondamentale për të pasur një shoqëri të shëndoshë”, ka theksuar Gollopeni.