Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Aurona Pelajt, e akuzuar për veprën penale “Sulm”, ndaj të moshuarës në shtëpinë e kujdesit në Pejë, në vitin 2022, ndërsa dy të akuzuarat e tjera i ka liruar nga akuza. Vendimin për Pelajn e ka mirëpritur avokati i familjes të së moshuarës, i cili tha se për lirimin e dy të akuzuarve të tjera Altina Rexhepi dhe Remzije Kuçi do të paraqesin ankesë në Apel
Aktgjykim dënues ka shpallur Gjykata Themelore në Pejë ndaj Aurona Pelajt, e akuzuar për sulmin ndaj të moshuarës në qendrën e të moshuarve “Orenda” në Pejë, në vitin 2022.
Sipas aktakuzës, e pandehura Pelaj ngarkohej për veprën penale “Sulmi”, pasi ka sulmuar të moshuarën që ishte e diagnostifikuar me Alzeimer, e që ishte vendosur në ketë institucion për përkujdesje.
Për këtë ajo është dënuar të hënën me 2 vjet e tre muaj burgim.
“E pandehura Aurona shpallet fajtore për shkak se në shtëpinë e kujdesit me dashje përdor forcën ndaj personit tjetër, që për shkak të moshës së shtyrë, përkatësisht diagnozës Alzeimer ishte e vendosur në këtë institucion për përkujdesje, në atë mënyrë që derisa e pandehura ishte e angazhuar si infermiere dhe ofronte përkujdesje ndaj të dëmtuarës, duke qenë e vetëdijshme për gjendjen e saj të pambrojtur e kap të dëmtuarën në të dyja duart, ia kufizon mundësinë e mbrojtjes, e mbështet për muri, e godet disa herë me shuplakë në fytyrë, me çka ka kryer veprën penale sulmi, andaj Gjykata e gjykon me dënim me burgim prej 2 vjet e tre muaj, ku do t’i llogaritet edhe koha në paraburgim nga data 02.11.2022 deri më datë 24.11.2022”, ka thënë gjyqtari i rastit Alan Taranis.
Për të pandehurën, Gjykata ka dhënë edhe dënim plotësues - ndalimin e ushtrimit të profesionit të infermieres në kohëzgjatje prej pesë vjetësh nga koha kur vendimi të marrë formë të prerë.
Edhe
Dënohet me 2 vjet e 3 muaj burgim e akuzuara për sulmin ndaj të moshuarës në Pejë
Të akuzuara për këtë rast ishin edhe Altina Rexhepi dhe Remzije Kuçi.
Mirëpo të dyja Gjykata i liroi nga akuza.
Vendimin e Gjykatës për dënim ndaj Pelajt, e ka mirëpritur Meshar Selimaj, avokat i familjes të së moshuarës.
Ai ka paralajmëruar se për dy të pandehurat e tjera do të paraqesë ankesë në shkallë të dytë.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit nuk ishin të pranishme asnjëra nga të pandehurat.
Më 4 maj të vitit 2023, Prokuroria Themelore në Pejë pati ngritur aktakuzë ndaj tri infermierëve për sulmin ndaj të moshuarës në shtëpinë e kujdesit “Orenda” në Pejë.
Momenti i sulmit ndaj të moshuarës ishte incizuar dhe videoja shpejt ishte bërë virale, duke nxitur reagimin e opinionit publik.
Pas këtij rasti Oda e infermierëve të Kosovës ua pati marrë licencat infermiereve të përfshira në këtë rast.
Edhe
Shtyhet seanca e parë ndaj tri infermiereve për rrahjen e të moshuarës në Pejë
Ndaj tyre ishte caktuar një muaj paraburgim, por pas tri javësh Gjykata Supreme i pati liruar nga paraburgimi.
Ndërkohë, viktima e këtij rasti ka vdekur në vitin 2024, sipas një deklarate të mëhershme të avokatit Selimaj.