Ka dështuar që të mbahet seanca gjyqësore ndaj tri të akuzuarave për sulmin e vitit 2022 në qendrën e të moshuarve “Orenda” në Pejë. Seanca është shtyrë për shkak të mungesës së avokatit të njërës prej të akuzuarave. Kritika për zvarritje të seancës kanë shprehur avokati i palës së dëmtuar si dhe dëshmitarët e rastit
Në mungesë të mbrojtësit të së akuzuarës Remzije Kuçi, avokatit Faruk Binakaj, ka dështuar që të mbahet të mërkurën seanca gjyqësore lidhur me sulmin ndaj një të moshuare që pati ndodhur në vitin 2022 në qendrën e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
Kuçi, bashkë me dy të pandehura të tjera – Aurona Pelaj dhe Altina Rexhepi – akuzohen për veprën penale “sulm” në rastin, në të cilin, sipas Prokurorisë, ato në bashkëkryerje kanë përdorur forcë ndaj viktimës së moshuar.
“Shtyhet seanca e sotme e shqyrtimit kryesor, në këtë çështje penale. Përmes emailit zyrtar e ka njoftuar gjyqtarin e çështjes se nuk mund të prezantojë në këtë seancë, për arsye shëndetësore dhe atë për shkak se nga mjeku është përshkruar pushimi mjekësor. Për këtë, i njëjti e ka mbështetur këtë kërkesë, e ka dorëzuar, po ashtu përmes emailit, në formën e skanuar dhe një raport mjekësor, të lëshuar nga QKMF Deçan, nga i cili rrjedh se i rekomandohet pushimi mjekësor”, ka thënë gjyqtari Alan Taranis.
Paraprakisht, gjyqtari Taranis e ka pyetur të akuzuarën Kuçi nëse është e gatshme që të prezantohet pa avokat, porse ajo e ka refuzuar këtë opsion.
Avokati i palës së dëmtuar, Meshari Selimaj, e ka kualifikuar shtyrjen e seancës si zvarritje të procesit. Pas shtyrjes, ai ka thënë se pret një epilog më të shpejtë për këtë rast.
“Kemi një pamundësi të mbajtjeve të shqyrtimit gjyqësor për një vepër penale, e cila është sulm. Jemi përballë një dobësie të madhe, ku një institucion gjyqësor, ku është kjo gjykatë, nuk ka mundësi për ta kryer një gjykim shumë të thjeshtë, me 3 dëshmitarë”, ka theksuar Selimaj.
Kritikë për shtyrjen e seancës ka shprehur edhe pronari i shtëpisë për të moshuar “Orenda”, Anton Rasaj, i cili në këtë proces gjyqësor është dëshmitar i prokurorisë.
“Unë kërkova nga gjykatësi i tanishëm, për mua është një problem shumë i madh. Sepse kjo është e treta herë që vijë nga Zvicra dhe nuk mbahen seancat, por shpresoj që të ardhmen do të vijë një përfundim”, ka thënë ai.
Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar se më 29 tetor të vitit 2022, në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda” SH.P.K., tri të dyshuara kanë përdorur forcë ndaj viktimës së ndjeshme. Në aktakuzë thuhet po ashtu se me kërkesë të të pandehurës, Aurona Pelaj, e pandehura Remzije Kuçi xhiron përderisa e pandehura Altina Rexhepi e kap për dorën e majtë viktimën duke e mbajtur. E pasi e lëshon, thuhet në aktakuzë, e pandehura Pelaj e kap viktimën në të dyja duart, në pjesët e parakrahut, duke e goditur disa herë me shuplaka në fytyrë.