Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes dhe ka liruar ende pa u bërë një muaj nga paraburgimi tri infermieret e arrestuara për sulmin ndaj një së moshuarës në Pejë që ishte e strehuar në shtëpinë e pleqve “Orenda”. Shkalla e tretë e ka marrë këtë vendim nën justifikimin se nuk ka rrezik për ndryshim të provave apo për ndikimi mbi të dëmtuarën, nga mbrojtja në liri e të dyshuarave. E avokati i së moshuarës e ka kualifikuar të jashtëligjshëm vendimin dhe ka ngritur dyshime mbi epilogun e rastit
Një javë para se të përfundojë afati i paraburgimit prej 30 ditësh, i përcaktuar nga Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, Supremja ka marrë vendim të premten për ndërprerjen e kësaj mase ndaj tri infermiereve të arrestuara për sulmin ndaj së moshuarës 70-vjeçare në shtëpinë e pleqve “Orenda”, në Pejë.
Kolegji i gjyqtarëve, i udhëhequr nga Agim Maliqi, me anëtarë Valdete Daka e Afrim Shabani dhe me bashkëpunëtorin profesional Bujar Bala, ka aprovuar kërkesën për mbrojtje në liri të shtruar nga avokati i të pandehurës A.R., Blerim Ademaj. E ka liruar atë së bashku edhe me dy infermieret e tjera.
Me pranimin e kërkesës të Ademajt, shkalla e tretë ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë të dhënë më 3 nëntor, e sipas të cilit masa e paraburgimit do të zgjaste deri më 1 dhjetor 2022.
Në arsyetimin e vendimit, Supremja ka bërë të ditur se nuk ekziston rrezik për ndikim në proces.
“Kjo gjykatë konsideron se nuk qëndron baza ligjore e parashikuar me dispozitat e nenit 187 par.1 nënpar.1.1 e 1.2 pika 1.2.2 të KPPK, sepse siç rezulton nga shkresat e lëndës nuk ka arsye për të besuar se të pandehurat do të asgjësojnë, fshehin apo ndryshojnë provat e veprës penale, nuk qëndron fakti se të pandehurat do të mund të ndikojnë tek e dëmtuara apo dëshmitarët, sepse provat, gjegjësisht deklaratat e tyre ekzistojnë në shkresat e lëndës”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.
Sipas nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale, të cilit i është referuar Gjykata Supreme, kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit janë atëherë kur ekziston dyshim i bazuar se personi i tillë ka kryer vepër penale, kur ai fshihet, kur identiteti i tij nuk mund të vërtetohet ose kur ekzistojnë rrethana të tjera që tregojnë se ekziston rrezik i ikjes së tij. Po ashtu kur ka arsye për të besuar se ai do të asgjësojë, të fshehë, të ndryshojë ose t’i falsifikojë provat e veprës penale, ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se ai do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuarit apo në bashkëpjesëmarrësit.
Në shkresat e lëndës, sipas Supremes, nuk rezulton asnjë indikacion se të liruarat mund ta përsërisin veprën penale dhe se dy instancat më të ulëta gjyqësore nuk kanë dhënë arsyetim bindës dhe të qëndrueshëm përkitazi me bazat e paraburgimit.
“Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se gjykatat e dy instancave më të ulëta gjyqësore nuk kanë dhënë arsyetim bindës dhe të qëndrueshëm përkitazi me bazat e paraburgimit. Përkatësisht nuk kanë analizuar në mënyrë faktet vendimtare apo bazat e artikulueshme për caktimin e paraburgimit, për më tepër kanë bërë përshkrim formal të shkaqeve dhe kritereve të parashikuara me ligj dhe kanë paraqitur të dhëna të pakonfirmuara dhe të cilat bien ndesh me shkresat e lëndës penale, pasi që është evidente se dëshmitarja G.N. është dëgjuar në cilësinë e dëshmitares, kurse ndikimi në të dëmtuarën është i karakterit abstrakt dhe pa asnjë mbështetje në shkresat e lëndës”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Supreme.
Meshari Selimaj, avokat i viktimës së sulmit, e ka quajtur vendimin kundërligjor dhe të parakohshëm.
“Nuk e di se si është vendosur kështu, mbi çfarë baze është vendosur kështu. Dhe jemi shumë të shqetësuar me këtë vendim të Gjykatës Supreme dhe ky vendim e rrëzon besueshmërinë që ne kemi pasur për këtë procedurë, për zhvillimin e hetimeve. Jo vetëm të miat, por edhe të familjes pasi unë flas edhe në emër të familjes, por edhe të familjes së moshuarës. Madje e dëmton edhe besimin tonë në epilogun e këtij rasti në fund, në marrjen e një vendimi meritor”, ka thënë Selimaj.
Gjykata Themelore në Pejë e pati caktuar masën e paraburgimit për tri infermieret më 3 nëntor, një ditë pas publikimit të videoxhirimit që e shpërfaq keqtrajtimin dhe sulmin ndaj së moshuarës.
Në procedurën ankimore, Gjykata e Apelit e Kosovës me aktvendimin e datës 11 nëntor e ka refuzuar ankesën e mbrojtëses së të pandehurës për lirim si të pabazuar, si dhe e ka vërtetuar aktvendimin e shkallës së parë.
Pas publikimit të videos së sulmit ndaj së moshuarës, Oda e Infermierëve ua ka revokuar licencat infermiereve të përfshira në rast, ndërkaq shtëpia e të moshuarve “Orenda” në Pejë më pas është mbyllur.
Në video shihet një infermiere tek mban për duarsh të moshuarën, e godet në fytyrë dhe tallet me të. E të tjera infermiere dëgjohen tek i bashkohen në tallje dhe qeshin me të gjatë kohës së ushtrimit të dhunës.
Lansimi i kësaj video nxiti reagime të shumta në publik. Rrjeti i Grave dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thanë se xhirimi ngjall dyshime për keqtrajtimin e të moshuarve edhe në institucionet e tjera.