Avokati i familjes së të moshuarës që është sulmuar fizikisht nga infermieret, sot reagoi pas vendimit të Gjykatës Supreme për lirimin nga paraburgimi të të dyshuarave.
Meshari Selimaj për KosovaPress deklaroi se lirimi nga paraburgimi i infermiereve tregon tendencat për trajtimin e mëtutjeshëm të rastit.
Ai u shpreh se besimi në drejtësi për këtë rast u shua.
“Vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin nga paraburgimi i të pandehurave në këtë fazë të procedurës, ku akoma nuk ka përfunduar procedura hetimore dhe akoma ekziston rreziku i madh që të ndikohet në ndryshimin dhe asgjësimin e provave, është tregues i qartë se cilat janë tendencat për trajtimin e mëtutjeshëm të këtij rasti, relativizimi i tij, dhe në fund lirimi nga aktakuza apo shqiptimi i ndonjë dënimi me gjobë. Me ditën e sotme besimi në drejtësi për këtë rast u shua”, deklaroi Selimaj.
Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur t’ua ndërpresë paraburgimin tri infermiereve të arrestuara në lidhje me sulmin fizik ndaj një të moshuareje, në një shtëpi kujdesi në Pejë, në fillim të këtij muaji.
“Me pranimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të pandehurës A.R., e sipas detyrës zyrtare edhe për të pandehurat A.P. e R.K., ndryshohen aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë - Departamenti i Përgjithshëm DP.PP.nr.336/2022 të datës 03.11.2022 dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës - Departamenti i Përgjithshëm PN1DP.nr.1561/2022 të datës 11.11.2022, ashtu që të pandehurave iu ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtat lëshohen menjëherë për tu mbrojtur në liri”, thuhet në vendim.
Edhe
Lirohen nga paraburgimi infermieret e arrestuara për sulmin ndaj të moshuarës në Pejë
Sulmi fizik ndaj të moshuarës në Pejë është bërë publik më 2 nëntor. Tri infermiereve të dyshuara për dhunimin e të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë u ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Lidhur me këtë rast, ka pasur reagime të shumta, si dhe protesta, derisa shtëpisë së të moshuarve, ku ka ndodhur sulmi i ishte hequr licenca.