Arbëri

Mbyllet për publikun seanca ku po gjykohen dy të akuzuarit për spiunazh

Bedri Shabani

Është mbyllur për publikun seanca ku po gjykohen Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të akuzuar për spiunazh. 

Propozimi për mbyllje të seancës ka ardhur nga mbrojtësi i Shabanit, avokati Besnik Berisha, të cilin e ka mbështetur edhe avokati i Qerimit, Betim Shala. 

Prokurori Bekim Kodraliu ndërkohë tha se nuk ka arsye që seanca të jetë e mbyllur në këtë çështje penale pasi, sipas tij, në raport është konstatuar se Bedri Shabani nuk ka probleme të natyrës psikike.

Trupi gjykues u tërhoq për 5 minuta pauzë para nxjerrjes së vendimit lidhur me mënyrën se si duhet të vazhdojë seanca, e më pas ka aprovuar propozimin për mbyllje të seancës për ta përjashtuar publiku nga seanca deri sa të dëgjohet grupi i ekspertëve që e kanë përpiluar ekspertizën psikiatrike. 

Kryetari i trupit gjykues tha se kjo bëhet me qëllim të mbrojtjes së jetës familjare dhe personale të të akuzuarit.


Gjykimi i Shabanit dhe Qerimit për spiunazh, dëshmojnë ekspertet e psikatrisë forenzike

Tri eksperte të psikiatrisë forenzike janë paraqitur para Gjykatës Themelore në Prishtinë ku do ta prezantojnë raportin e tyre për Bedri Shabanin. 

Mbrojtja e Shabanit ka kërkuar ekzaminim psikiatrik dhe shtyrje gjatë seancës së kaluar. 

Këtë kërkesë e aprovoi gjyqtari Rrahman Beqiri. 

Siç mëson Koha, Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka arritur në përfundimin se Bedri Shabani mund t’i bëjë ballë gjykimit. 

Një konstatim të tillë e pati dhënë edhe mjeku i burgut të Gjilanit, Ngadhënjim Rexhepi i cili është edhe psikiatër.

Seancat në këtë rast janë shtyrë dy herë.

Herën e parë më 22 shtator avokati i Bedri Shabanit, Besnik Berisha, pati një seancë tjetër më urgjente. 

E herën e dytë më 13 nëntor, i akuzuari  Shabani i kërkoi Gjykatës Themelore në Prishtinë ta shtyjë seancën, meqë, siç tha ai, është në terapi të rëndë dhe nuk e di as se ku është.

Mbrojtësi i Bedri Shabanit, avokat i Besnik Berisha, propozoi që seanca të mbyllet. Ai tha se kjo duhet të bëhet me qëllim që të mbrohet dinjiteti dhe privatësia e klientit të tij.