Arbëri

Shabani thotë se ka probleme shëndetësore, anulohet seanca për spiunazh ndaj tij dhe Qerimit

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi

Është anuluar seanca e fjalës hyrëse në rastin ku ish-doganieri Bedri Shabani dhe ish-polici Muharrem Qerimi akuzohen për veprën penale spiunazh. 

Kjo pasi që i akuzuari Shabani ka thënë se ka probleme me shëndetin. 

Seanca është caktuar të mbahet më 20 nëntor. 


Shabani thotë se ka probleme shëndetësore, mbyllet për publikun seanca për spiunazh ndaj tij e Qerimit

Seanca gjyqësore e fjalës hyrëse në rastin ku ish-doganieri Bedri Shabani dhe ish-polici Muharrem Qerimi akuzohen për veprën penale spiunazh është mbyllur për publikun pas kërkesës së Shabanit. 

Avokati i Shabanit, Besnik Berisha, tha se do të shpalosë të dhënat shëndetsore të të akuzuarit.

Para mbylljes Shabani tha se është me terapi të rëndë dhe siç u shpreh ai, nuk di as se ku është. 

Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, tha se e kanë kontaktuar mjekun përgjegjës të Burgut të Gjilanit i cili i ka thënë gjykatës se sot në mëngjes parametrat vitale shëndetësore Shabanit ishin normale. 

Megjithatë, ai tha se gjykata e vlerëson përgjigjen e tij si të mangët dhe do se gjykata do të kërkojë përgjigje përsëri me shkrim nga mjeku i Shërbimit Korrektues.

Gjyqtari Beqiri e ka pyetur Shabanin po ashtu se a ka nevojë për tu vizituar te mjeku, por i akuzuari është përgjigjur me "jo".


Ndërpritet përkohësisht seanca për spiunazh ndaj Shabanit dhe Qerimit

Është ndërprerë përkohësisht seanca e fjalës hyrëse në rastin ku ish-doganieri Bedri Shabani dhe ish-polici Muharrem Qerimi akuzohen për veprën penale spiunazh.

Kjo pasi Bedri Shabani ka thënë se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, duke kërkuar shtyrjen e seancën.

"Ju kisha lutur që seanca të mos mbahet...jam në mbikëqyrje të mjekut çdo 30 minuta", ka thënë ai.

Tutje ka deklaruar se nuk është në gjendje ta vazhdojë seancën.

Trupi gjykues e ndërpreu seancën për një konsultim të shkurtër.

Herën e kaluar, nisja e gjykimit dështoi shkaku që avokati i Shabanit, Besnik Berisha, ishte në një seancë për vrasje në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

VIDEO:


Sot vazhdon gjykimi ndaj Shabanit dhe Qerimit për spiunazh

Të enjten do të mbahet seanca gjyqësore ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të akuzuar për spiunazh. Ata, në shqyrtimin fillestar për rastin e parë gjyqësor të spiunazhit që nga shpallja e pavarësisë, i kanë mohuar akuzat për spiunazh.

Sipas informacioneve të lëshuara nga Prokuroria Speciale, Shabani dhe Qerimi mblodhën informata që do t’i shërbenin BIA-s së Serbisë për ta ndërtuar një narrativ të rremë për një rrjet të trafikimit të organeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës.

Qerimi në bazë të aktakuzës i ka dërguar zyrtarit të BIA-s Sërgjan Rosiq edhe të dhëna të klasifikuara që lidheshin me veprimtarinë e Prokurorisë Speciale.

E Shabani, në bazë të pretendimeve të prokurorisë, përveç Rosiqit, pati kontakt edhe me një zyrtar tjetër, Bogolub Janiçeviq, që kishte rol udhëheqës në masakrën e Reçakut.

Të pandehurit, sipas aktakuzës, kanë përdorur celularët dhe postën elektronike për të dërguar të dhëna, e po ashtu edhe janë takuar fizikisht me zyrtarët e BIA-s në territorin e Serbisë.

Paragrafi 3 i nenit 124 të Kodit Penal parasheh që personat që hyjnë në shërbim të huaj të inteligjencës, mbledhin të dhëna apo e ndihmojnë shërbimin e shtetit të huaj në ndonjë mënyrë, dënohen minimalisht me pesë vjet burgim.