LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria insiston se i akuzuari për spiunazh s’ka probleme mendore, gjykata mbyll seancën për publikun

Është mbajtur e mbyllur seanca ku është trajtuar raporti i Klinikës së Psikiatrisë Forenzike për Bedri Shabanin, për rastin ku ai dhe Muharrem Qerimi akuzohen për spiunazh në favor të Serbisë. Mbylljen e vlerësoi të paarsyeshme Prokuroria Speciale, sipas së cilës raporti i ekspertëve të psikiatrisë tregon se Shabani është mirë me shëndet mendor

Në shkurt të këtij viti bëhet një vit qëkur është ngritur aktakuzë kundër ish-doganierit Bedri Shabani dhe ish-policit Muharrem Qerimi për spiunazh në favor të Serbisë, por deri tash as fjala hyrëse nuk ka nisur.

Gjykata Themelore në Prishtinë të mërkurën vendosi ta mbyllte seancën duke u thirrur në respektim të privatësisë së të akuzuarit Shabani, pasi në të parashihej të flisnin ekspertët e Institutit të Psikiatrisë Forenzike.

Propozimin e paraqiti mbrojtja e të akuzuarit, teksa e kundërshtoi Prokuroria Speciale, sipas së cilës Shabani është mirë me shëndet mendor, si në bazë të raportit të mjekut të burgut, ashtu edhe në bazë të raportit të eksperteve të Psikiatrisë Forenzike.

“Siç rezulton edhe nga anamneza e përshkruar në ekspertizë, pra thotë dokumentacion mjekësor, rrëfime të ekzaminuarit që janë ekskluzivisht për gjykatën, ekspertët dhe nuk përbën interes për publikun. Në funksion të mbrojtjes së dinjitetit të z. Shabani dhe të mbrojtjes së informatave që ligjërisht klasifikohen si informacion i privilegjuar dhe nuk mund të ndahen me askënd pa pëlqimin e tij, ne propozojmë që kjo pjesë e shqyrtimit gjyqësor të vazhdojë e mbyllur për publikun”, tha Avokati i Shabanit, Besnik Berisha.

Prokuroria Special Bekim Kodraliu e kundërshtoi këtë.

“Edhe në seancën e mëhershme kur është diskutuar lidhur me këtë propozim unë e kam kundërshtuar pasi nuk ka pasur bazë ligjore dhe nuk ka qenë e arsyeshëm edhe një ekzaminim i tillë, megjithatë gjykata ka vendosur dhe ne e respektojmë vendimin e gjykatës...Ekspertiza konstaton se i pandehuri Bedri Shabani nuk ka asnjë çrregullim mendor, tha ai.

Rrahman Beqiri, kryetar i trupit gjykues, e arsyetoi vendimin për mbyllje të seancës. 

“Për përjashtimin e publikut, gjykata bazohet në nenin 289, paragrafi 3.2 të Kodit të Procedurës Penale që ka të bëjë me mbrojtjen e jetës personale dhe familjare të të akuzuarit”, tha ai. 
Seanca e fjalës hyrëse pritet të mbahet të enjten, e ajo është disa herë deri tash.
Në seancën e 13 nëntorit të vitit të kaluar Bedri Shabani i tha gjykatës se është sikur i mpirë dhe se nuk e di as se ku është, derisa avokati i tij kërkoi ekzaminim psikiatrik për të.

Shqyrtimi kryesor ishte paraparë të niste më 22 shtator 2025, por ishte shtyrë shkaku që avokati mbrojtës Besnik Berisha pati seancë tjetër.

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë të akuzuarit e parë për spiunazh që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.  

Në aktvendimin për konfirmim të aktakuzës, i nxjerrë më 30 prill, Themelorja ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Shabani dhe Qerimi kanë spiunuar në favor të Serbisë si bashkëpunëtorë të BIA-s.