Seanca për nisjen e gjykimit të Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të akuzuar për veprën penale spiunazh, është anuluar.
Seanca është anuluar pas mungesës së avokatit të Shabanit, Besnik Berisha.
Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, ka deklaruar se arsyeja e mosparaqitjes së Berishës është angazhimi i tij në një rast të vrasjes së rëndë në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
"Përmes parashtresës së datës 5.9.2025 e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të paraqitet në këtë seancë sepse është i angazhuar në një rast të vrasjes së rëndë në Gjykatën Themelore në Gjakovë që është caktuar më herët. Si provë e ka dorëzuar shkresën e gjykatës... Me të njëjtën parashtresë ky avokat ka kërkuar që ta shtyjë edhe seancën e datës 25.9.2025 për shkak se ka planifikuar një udhëtim për këtë datë", ka thënë Beqiri.
Me këtë rast, Shabani ka deklaruar se nuk dëshiron ta ndryshojë avokatin deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.
Seancat e radhës u caktuan për datat 13 dhe 20 nëntor.