Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian ka rrëzuar pretendimin e Spanjës se Kosova nuk mund të konsiderohet “vend i tretë” dhe se duhet t’i anulohet pjesëmarrja në Trupin e Rregullatorëve Evropianë për Komunikime Elektronike (BEREC). Në një vendim të publikuar të martën, është anuluar vendimi i Komisionit Evropian për t’ia lejuar pjesëmarrjen e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës në BEREC, por për çështje procedurale dhe jo politike. Kosovës i është dhënë hapësirë për pranim nëpërmjet rrugës ligjore, atë të marrëveshjes direkte me BEREC-un, pa përfshirjen e Komisioni Evropian.
BEREC-u shërben si forum bashkëpunimi ndërmjet rregullatorëve dhe rregullatorëve me Komisionin Evropian dhe ka rol të rëndësishëm edhe në kornizën e aplikimit për Bashkimin Evropian. BEREC-u përbëhet nga Bordet e Rregullatorëve Evropianë për Komunikime Elektronike. Ai është themeluar më 2009. Kosova pati nisur pjesëmarrjen në vitin 2019, pas vendimit të Komisionit Evropian për pjesëmarrjen e rregullatorëve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ndër këto shtete, Komisioni ia lejoi ARKEP-it pjesëmarrjen në Bordin e Rregullatorëve Evropianë dhe të punojë me grupet e BEREC-ut.
Spanja ishte ankuar ndaj vendimit të Komisionit Evropian duke kontestuar se “Kosova s’është vend i tretë”. Siç ka shkruar Gjykata e Drejtësisë, Kosova konsiderohet vend i tretë, por se telashet kanë qenë te versionet e përkthyera në disa gjuhë që s’kanë dallim mes “vendit të tretë” dhe “shtetit të tretë”. Gjykata ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se Kosova mund të konsiderohet si vend i tretë, edhe në rregullatorin e BEREC-ut.
“Gjykata e Drejtësisë, referuar opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, së datës 22 korrik 2010 për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, megjithatë konsideron se Kosova mund të trajtohet në të njëjtën mënyrë si “vend i tretë”, në Rregulloren e BEREC-ut, pa cenuar të drejtën ndërkombëtare. Prandaj, Gjykata e Përgjithshme nuk gaboi kur arriti në përfundimin se Komisioni, në përputhje me rregulloren, mund ta trajtonte Kosovën si “vend të tretë”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Vendimi specifikon se Komisioni Evropian s’ka pasur pushtetin e duhur për të vendosur për pranimin e Kosovës. Megjithatë për të mos rrezikuar pjesëmarrjen e Rregullatorit të Kosovës në BEREC, Gjykata ka vendosur që pjesëmarrja e Kosovës të vlejë deri në marrëveshjen me BEREC-un. Për këtë ka dhënë afat prej gjashtë muajsh.
Spanja, krahas Qipros, Rumanisë, Greqisë dhe Sllovakisë janë pesë shtetet anëtare të BE-së, që s’e njohin Kosovën.
Edhe
Në favor të aplikimit të Kosovës votuan 33 shtete, Serbia mes 7 vendeve që votuan kundër
ARKEP-i thotë se nuk është përjashtuar nga BEREC-i. ARKEPi- ka thënë se përmes mjeteve të informimit është njoftuar lidhur me anulimin e vendimit të Komisionit Evropian që lejon Kosovën të marrë pjesë në BEREC.
ARKEP-i ka thënë se nuk ishte palë në këtë rast, pasi lënda ishte iniciuar nga Spanja ndaj Komisionit Evropian.
“Megjithatë, me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik, kjo nuk nënkupton përjashtimin e ARKEP nga BEREC-u. Përkundrazi, për të mos penguar pjesëmarrjen e ARKEP në punën e BEREC-ut, Gjykata e Drejtësisë ka vendosur që efektet e vendimit të Komisionit Evropian të zbatohen deri në hyrjen në fuqi të ndonjë marrëveshjeje të re pune të lidhur ndërmjet BEREC-ut, Zyrës së BEREC-ut dhe ARKEP. ARKEP që nga viti 2019 merr pjesë aktive në takimet e BEREC, si në nivelin teknik (10 grupe punuese të ekspertëve) ashtu edhe në atë të Bordit të Rregullatorëve. Për informimin e juaj, komunikimi dhe bashkëpunimi me BEREC ka vazhduar edhe vazhdon ende në kuadër të përmbushjes së objektivave të përbashkëta. ARKEP, në funksion të zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive, të cilat dalin nga Korniza Rregullatore në fushën e Komunikimeve Elektronike, mbetet i angazhuar në përmbushjen e synimeve de objektivave për zhvillimin e mëtutjeshëm të tregut dhe mbrojtjen e interesave të Republikës së Kosovës në përfaqësimet ndërkombëtare”, është thënë nga ARKEP-i.