Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

BE-ja shpreh keqardhje që u refuzuan tërheqjet e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë

kgjk

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje të thellë për vendimin e djesshëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të mos lejuar kthimin e gjyqtarëve serbë, të cilët ishin larguar para disa vitesh nga sistemi gjyqësor i Kosovës.

Sipas Bashkimit Evropian, i cili kishte mirëpritur tërheqjen e dorëheqjeve të këtyre gjyqtarëve, Kosova duhet të mundësojë kthimin e plotë dhe të papenguar të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në strukturat e drejtësisë të Kosovës.

Në këtë deklaratë, Bashkimi Evropian rikujton se Kosova edhe me kushtetutën e saj është një vend multietnik. Po ashtu rikujton thirrjet e njëpasnjëshme që BE-ja i ka dërguar për serbët e Kosovës që të riintegrohen në të gjitha strukturat e Kosovës.

BE-ja rikujton se vendimi i fundit i Këshillit Gjyqësor të Kosovës vjen pas vendimeve të ngjashme që më parë kishte marrë edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës. Sipas BE-së, nuk duhet që të ketë përjashtim të atyre që vetë kanë tërhequr dorëheqjet e shprehura më parë.

Bashkimi Evropian po ashtu shpreh keqardhje edhe për vendimin e ushtrueses së detyrës së me këtë vendim, për të pranuar këto vendime dhe për të larguar personat e përmendur nga strukturat prokuroriale dhe gjyqësore të Kosovës.

Sipas Bashkimit Evropian, Kosova ka obligim për të siguruar riintegrimin e strukturave serbe në strukturat e Kosovës edhe nga procesi i dialogut për normalizimin e raporteve.