Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka akuzuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, se po udhëheq një politikë që synon dëbimin e serbëve nga Kosova dhe po dëmton, siç tha ai, “trashëgiminë e paqes të presidentit Trump që e arriti gjatë mandatit të parë”.
Në fjalimin e tij gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën, ku po diskutohej raporti i sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres, për Kosovën, Gjuriq u shpreh se komuniteti serb në Kosovë po përballet me “gërryerje sistematike” dhe “një betejë humane për mbijetesë”.
“Ka arrestime arbitrare, dhunë të pakontrolluar dhe një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj parimeve themelore të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Gjuriq, duke shtuar se raporti i Guterresit “pasqyron tmerret e përditshme që po përjetohen atje”.
Sipas tij, qeveria e Kosovës ka shkatërruar “128 institucione jetike” në zonat me shumicë serbe, përfshirë shërbimet sociale, postën, pensionet dhe punësimin, ndërsa “madje edhe Kryqi i Kuq është bërë shënjestër”. Ai theksoi, duke përmendur raportin e Guterresit, se autoritetet e Kosovës “kanë vazhduar të mbyllin institucionet e udhëhequra nga Serbia” dhe se këto veprime janë kritikuar edhe nga aktorët ndërkombëtarë.
Gjuriq foli edhe për, siç tha ai, “sulmet e shpeshta me motive etnike”, duke pretenduar se mbi 30 të rinj serbë janë shënjestruar që nga ardhja në pushtet e Kurtit.
“Nëse je serb, askush nuk të mbron. Ky mohim sistematik i të drejtave themelore është një dështim i thellë moral dhe politik”, deklaroi ai, duke shtuar se “këto mizori burojnë nga një urrejtje e rrënjosur thellë në Prishtinë”.
Ai akuzoi Kurtin për “militarizim të Forcës së Sigurisë (FSK)” dhe për “blerje të dronëve kamikazë”, ndërsa theksoi se “paqja nuk ndërtohet me armatim të njërës palë”.
Gjuriq e quajti “alarmante” situatën rreth Kishës Ortodokse Serbe dhe tha se “sulmet ndaj objekteve fetare janë një erozion i qëllimshëm i identitetit kulturor”.
Ministri serb theksoi se 20 për qind e serbëve janë larguar nga Kosova në një “eksod të heshtur” dhe se vetëm 17 kthime vullnetare janë regjistruar.
“A është kjo shoqëria multietnike që po proklamohet?”, pyeti Gjuriq.
Sipas tij, megjithë “presionet dhe frikësimin”, fryma serbe në Kosovë “mbetet e pathyeshme”, gjë që sipas tij u dëshmua me fitoren e Listës Serbe në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në zgjedhjet lokale që në raundin e parë.
Në fund, Gjuriq i bëri thirrje Kosovës të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke kujtuar se “kjo nuk është kërkesë e Serbisë, por zotim i dhënë nga vetë Kosova”.
“Kurti po e saboton këtë proces dhe po dëmton marrëveshjet dhe trashëgiminë e paqes të presidentit Trump që e arriti gjatë mandatit të parë. Serbia nuk është pengesë – ne jemi pjesë e zgjidhjes”, ka thënë ai.
Gjuriq përfundoi fjalimin me thirrjen që Këshilli i Sigurimit dhe bashkësia ndërkombëtare të “dënojnë shkeljet e të drejtave të serbëve” dhe të garantojnë, siç tha ai, “paqen dhe bashkëjetesën e vërtetë në Kosovë”.
Gjuriq mohon që Vuçiqi po nxit luftë: Ai vazhdimisht ka kërkuar bashkëpunim ekonomik
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, mohon që presidenti serb Aleksandar Vuçiq të ketë bërë ndonjë deklaratë që nënkupton mesazh për nxitje lufte, madje sipas Gjuriqit, presidenti Vuçiq ka kërkuar bashkëpunim ekonomik, siç ishte “Ballkani i Hapur”, të cilin kryeministri në detyrë Albin Kurti e refuzoi.
“Presidenti Vuiçiq u akuzua këtu për nxitje lufte. Ai përveç se nuk ka bërë një deklaratë të tillë në asnjë moment, ai vazhdimisht ka kërkuar bashkëpunim ekonomik përmes nismave siç është “Ballkani i Hapur”, të cilën Kurti e ka refuzuar se ka vazhduar respresionin e vet. Termi gjenocid nuk duhet të keqpërdoret sidomos jo për qëllime politike senzacionaliste. Këto pretendime pa ndonjë provë janë të pabazuara në realitet dhe i shërbejnë vetëm për të fituar poena të dobët politik. Pretendime të tilla poashtu dëmtojnë mundësinë për përparim në normalizim të marrdhënieve midis serbëve dhe shqiptare”, tha Gjuriq.
Gjuriq madje thotë se nuk janë të interesuar për garën se sa shtete tërheqin njohjen e Kosovës dhe sa e njohin, ndonëse Serbia vazhdimisht lobon për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Gjuriq poashtu tha se fjalën Metohi nuk e ndërlidhin me ndonjë politikan të mëhershëm serb.
“Në dekadën e fundit 27 shtete kanë tërhequr njohjen e shpalljes së njëanshme të pavarësisë, vetëm tri shtete kanë njohur të ashtuquajturën pavarësi. Nuk jemi të interesuar për një garë të tillë ose ndonjë betejë politike. Por gjithmonë do të qëndrojmë fuqimisht për qëndrimin tonë për reezolutën 1244, Kushtetutën tonë dhe të drejtën publike ndërkombëtare. Për fund keqinterpretimi i fjalës Metohia, Kosova dhe Metohia siç e themi ne, ka kuptim të thellë historik për njerëzit në Kosovë kam vetëm respekt për shqiptarët, traditën e tyre, kulturën e tyre. Në kulturën e serbëve kuptimi i fjalës Metohi është pronë e kishës dhe manastirit dhe në fakt dokumentet që nga shekujt 11, 12, 13 qartë e theksojnë përdorimin e fjalës Metohi. Kjo nuk është ofendim as përulje dhe nuk mund të lidhet me ndonjë ish politikani të mërparshëm. Është pjesë e identitetit tonë kulturor”, tha gjatë fjalës së tij Gjuriq.
Këtë deklaratë, Gjuriq e bëri pasi ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në hyrje të fjalimit të saj në Këshillin e Sigurimit ka thënë se do që ta bëjë të qartë se “Kosovë e Metohi” nuk ekziston dhe e cilësoi si gjuhë të vjetër të Millosheviqit dhe atyre që e ndjekin.
