VIDEO:
Franca: Kosova ta formojë Asociacionin, e papranueshme që autorët e Banjskës janë ende të lirë
Franca ka bërë thirrje që statusi i komunitetit serb në Kosovë të zgjidhet përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e cilësuar këtë si hap të domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në fjalën e mbajtur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesi francez ka theksuar se zgjedhjet lokale në veri kanë kaluar pa incidente dhe me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, duke kërkuar që kalimi i pushtetit të ndodhë në mënyrë të qetë.
“Nuk ka alternativë për normalizimin, i cili është thelbësor për integrimin evropian të Kosovës dhe Serbisë. Duhet respektuar zotimet e Marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit. Veprimet e Qeverisë së Kosovës kanë pasur pasoja negative për komunitetin serb dhe statusi i tyre duhet të zgjidhet përmes themelimit të Asociacionit”, ka thënë përfaqësuesi i Francës.
Ai gjithashtu e cilësoi si “tërësisht të papranueshme” faktin që autorët e sulmit në Banjskë të vitit 2023 ende nuk janë sjellë para drejtësisë.
“Është e papranueshme që, dy vjet pas sulmit, përgjegjësit të jenë ende të lirë”, përfundoi përfaqësuesi francez.
Gërvalla: Rasti në Banjskë s’ishte incident, por agresion i planifikuar nga Serbia
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, theksoi sfidat e vazhdueshme në procesin e dialogut me Serbinë, duke akuzuar Beogradin për mohimin e krimeve të luftës dhe glorifikimin e kriminelëve si heronj.
Ajo u shpreh se përdorimi i termit “Kosova e Metohija” është tregues i qartë i përkatësisë ideologjike me regjimin e Sllobodan Millosheviqit.
“Besoj se jemi të gjithë të vetëdijshëm se sa i vështirë është ky proces i dialogut në shekullin e 21-të sepse ne ende kemi të bëjmë me njerëz që në Beograd i mohojnë krimet e luftës, i mohojnë gjenocidin, i cilësojnë kriminelët e luftës si heronj dhe e bëjnë këtë në prezencë të njerëzve që janë mjaftueshëm të vjetër që të dinë se çka ndodhi në të 90’ta. Kur e dëgjoni dikë duke thënë ‘Kosova e Metohija’ më besoni se keni përballë mbështetës të ideologjisë së Sllobodan Millosheviqit”, ka thënë ajo.
Gërvalla rikujtoi se agresioni i ndodhur në Banjskë nuk ishte një incident, por akt terrorist i planifikuar nga shteti serb kundër Republikës së Kosovës.
“Banjska nuk ka qenë incident, Banjska ka qenë një agresion i hapur i Serbisë, i shtetit të Serbisë kundër një shteti fqinj, kundër Republikës së Kosovës. Të gjithë këtu dhe jashtë kësaj ndërtese e dinë se kush qëndron pas gjithë kësaj, e kemi parë të gjithë në videot e publikuara nga rasti në Banjskë që kaloi pa pasoja”, ka thënë ajo.
Britania thirrje anëtarëve të OKB-së ta njohin Kosovën, ndërsa Serbisë ta dorëzojë Radoiçiqin
Britania e Madhe ka bërë thirrje shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë, duke theksuar se njohja është thelbësore për stabilitetin afatgjatë në rajon dhe për zhvillimin e plotë të vendit. Për Serbinë, Britania ka thënë se duhet ta dorëzojë Milan Radoiçiqin, ndërsa për Kosovën, ka kritikuar sulmet që i janë bërë Gjykatës Kushtetuese.
Përfaqësuesja e Britanisë foli gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku u diskutua raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, për Kosovën.
“Britania mbetet përkrahëse e palëkundur e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe shtegut të saj euroatlantik. Si ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës”, deklaroi ajo.
Përfaqësuesja britanike inkurajoi progres të shpejtë drejt formimit të qeverisë në Kosovë dhe përgëzoi “mbajtjen e qetë dhe demokratike” të procesit zgjedhor lokal.
Ajo shprehu shqetësim për disa deklarata të fundit që, sipas saj, “rrezikojnë të rrënojnë institucionet shtetërore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese”. Kryeministri në detyrë Albin Kurti më herët kishte shprehur kritika për Kushtetuesen.
“Institucionet e forta dhe gjithëpërfshirëse janë jetike për të avancuar integrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe për të ofruar progres për qytetarët e saj”, theksoi ajo, duke e cilësuar kthimin e kryetarëve serbë në komunat me shumicë serbe si “një hap pozitiv drejt një pushteti lokal përfaqësues”.
Ajo kërkoi nga të gjitha palët që tranzicioni institucional në komunat ku kanë fituar kandidatët e Listës Serbe të zhvillohet me “respektim të plotë të sundimit të ligjit dhe me mundësi reale për riintegrimin e komunitetit serb”.
Dy vjet pas sulmit në Banjskë, Britania ritheksoi thirrjen ndaj Serbisë që të bashkëpunojë për “tkurrjen e tensioneve” dhe të sigurojë “përgjegjësinë penale të autorëve të sulmit”, përfshirë dorëzimin e Milan Radoiçiqit.
“Llogaridhënia për sulmin në Banjskë dhe për sulmet ndaj KFOR-it është pritur shumë gjatë”, ka thënë ajo, duke shtuar se çështjet e pazgjidhura duhet të adresohen përmes dialogut.
Në deklaratë u theksua rëndësia e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që u cilësua si “element thelbësor për ndërtimin e besimit dhe sigurimin e stabilitetit afatgjatë”.
Britania gjithashtu mirëpriti “angazhimin konstruktiv të të gjitha palëve” në procesin e Berlinit dhe u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare të fokusohen në përdorimin më efikas të resurseve të OKB-së.
“Me presionin e shtuar mbi buxhetin e Kombeve të Bashkuara, resurset duhet të rialokohen aty ku kanë më shumë efekt, e jo të mbahen në misione të trashëguara pa mandat të qartë”, theksoi ajo, duke kërkuar “rishikim strategjik të UNMIK-ut dhe një qasje më efikase të stafit civil”.
SHBA-ja ripërsërit thirrjen për mbylljen e UNMIK-ut: S’ka krizë sigurie në Kosovë
Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Jeff Bartos, ka ripërsëritur thirrjet që UNMIK-u duhet të mbyllet. Ai ka thënë se është koha që misioni të tërhiqet dhe të bëhet transferimi i funksioneve të tij.
Ai ka shtuar se takimet për UNMIK-un janë të padobishme.
“Nuk ka krizë sigurie në Kosovë dhe UNMK-u nuk ka më rol në qeverisjen e Kosovës. Koha ka ardhur që të tërhiqet misioni. Z. Shin i çmojmë përpjekjet e UNMIK-ut për dialog por UNMIK-u është mision paqeruajtës pa paqeruajtës. Është koha të fillojë puna e transferimit të funksioneve nga UNMIK në agjenci më të përshtatshme. SHBA u bën thirrje shteteve anëtare për të mbyllur operacionet e saj. Ky tranzicion është i tepërt. Takimet për UNMIK-un janë të padobishme dhe kjo punë duhet të ndërpritet. Këto takime i dëmtojnë institucionet”.
Ndërsa, ka thënë se SHBA-ja e nxit Kosovën dhe Serbinë të përmbahen nga masat eskaluese dhe të ndërtojnë paqen dhe stabilitetin me njohjen si qëllim përfundimtar”.
Kina dënon “veprimet e njëanshme” të Kosovës në veri
Përfaqësuesi i Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Geng Shuang, ka dënuar, siç tha ai, “veprimet e njëanshme” të autoriteteve të Kosovës në veri të vendit, duke paralajmëruar se ato po nxisin tensione dhe po minojnë stabilitetin rajonal.
Në fjalimin e mbajtur gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit ku po diskutohet raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Kosovën, Shuang u shpreh se situata në veri “ka qenë e luhatshme” dhe akuzoi Prishtinën për veprime që “cenojnë të drejtat legjitime të komunitetit serb”.
“Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur me mburrje disa institucione jetike për serbët, kanë shënjestruar serbët me bastisje të dhunshme dhe tashmë kanë hapur edhe urën e re mbi lumin Ibër. Këto veprime shkelin të drejtat legjitime të serbëve dhe nxisin tensione”, deklaroi ai.
Përfaqësuesi i Kinës u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që “të shmangin veprime që rrisin përplasjet” dhe të përmbahen nga çdo hap që mund të përkeqësojë situatën në terren.
Ai theksoi se Pekini mirëpret dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por se “thelbi i problemit qëndron te veprimet e njëanshme dhe të vazhdueshme nga Kosova, që krijojnë mosbesim ndërmjet komuniteteve”.
“Prania e Kombeve të Bashkuara në Kosovë është një garanci e fuqishme për zgjidhjen e çështjes”, shtoi Shuang, duke theksuar se qëndrimi i Kinës “mbetet i qëndrueshëm dhe i pandryshuar”.
Në fund të fjalës së tij, përfaqësuesi i Kinës ka thënë se vendi i tij “mbështet palët që të arrijnë një zgjidhje të dyanshme përmes dialogut dhe kompromisit”, duke nënvizuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.
Kina nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës.
E, përfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vassily Nebenzia, ka hedhur pretendimet e zakonshme të këtij shteti për pavarësinë dhe sovranitetin.
Duke iu përgjigjur thirrjes së SHBA-së që UNMIK-u duhet të mbyllet, Nebenzia ka thënë se kundërshton kategorikisht këtë për shkak të atyre që i quajti “rrethana të rënda” në Kosovë.
Gërvalla paralajmëron në OKB: Mos rrezikoni edhe një luftë ballkanike, merruni me rrezikun e vërtetë
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në hyrje të fjalimit të saj në Këshillin e Sigurimit ka thënë se do që ta bëjë të qartë se “Kosovë e Metohi” nuk ekziston, në përgjigje të parafolësit të saj serb, Marko Gjuriq.
Ajo ka theksuar se Kosova po ndjek rrugën drejt integrimit euroatlantik, por se Serbia ka drejtim tjetër drejt Rusisë.
“Paralajmërimi ynë është i qartë, mos prisni gjatë, mos rrezikoni edhe një luftë ballkanike, duke u përqendruar në pyetjet e gabuara, në vend se të merreni me rrezikun e vërtetë”.
“Nuk ka Kosovë dhe Metohi, ajo nuk ekziston. Kosova dhe Metohia është shprehje e qartë e ambicieve hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës. Është gjuha e vjetër e Millosheviqit dhe atyre që e ndjekin. Kosova është demokraci e pastës perëndimore. Mbështetja për NAOT dhe SHBA është 99%. Ne jemi vendim më pro-NATO dhe pro-SHBA në botë. Ne jemi mbrojtur nga gjenocidi nga NATO dhe SHBA”, ka thënë ajo.
Ajo ka prezantuar fotografi të një murali në Serbi, që siç ka thënë ajo, paraqet kërcënimin serb ndaj Kosovës. Gërvalla ka theksuar se Kosova është për dialog dhe jo mashtrime të Aleksandër Vuçiqit.
“Nuk po flasim për historinë por të tanishmen dhe në tanishmen Kosovë është një kërcenim për rajonin. E përcjellim propagandën e Vuçiqit dhe urrejtjes që shpërndahet, helmon popullatën serbe. Në Serbi mund të shihni grafitë murale të mëdha sot ku shkruhet ‘Kur ushtria të kthehet në Kosovë’. Nuk shkruhet ‘nëse’ por ‘kur’. Ata nuk e fshehin qëllimin e vet. Ne jemi në favor të dialogut. Na duhet një dialog i vërtetë dhe jo një mashtrim nga Vuçiqi. Strategjia e të cilit ndaj BE-së është luftë deri te agresioni ushtarak”.

Gërvalla ka thënë se presidenti serb duhet të ndalet nga bashkësia ndërkombëtare, pasi “Serbia ka provuar më 2023 se është e gatshme për luftë”. Ajo tutje ka bërë thirrje për lirimin e ish-policit Arbnor Spahiu të arrestuar nga Serbia.
“Nëse nuk ka pasoja to do eskalojnë më tutje sepse nuk kanë kujt t’i frikësohen. Gjuriq e di mirë, ai nuk ka probleme me vrasës e dhunues. Ai mund të ketë zë të butë por ai u ul në kafe pas sulmit në Banjskë me Radoiçiqin. Gjuriqi ishte përfaqësues i Vuçiqit për vite të tëra për Kosovën. Ai ishte partner në krim e korrupsion”.
Gërvalla u shpreh se UNMIK-u duhet të mbyllet sepse nuk i shërben qëllimit.
“UNMIK duhet të mbyllet. Është humbje e parave të OKB-së. Nuk i shërben qëllimit. Po të shkonte nesër, asgjë s’do të ndryshonte në Kosovë. Rezultati në rajon do të vendoste mes demokracisë perëndimore e autokracisë për ndikimin në këtë pjesë të Evropës”.
Gjuriq: Kurti dëshiron t’i largojë serbët nga shtëpitë, po dëmton trashëgiminë e paqes së Trumpit
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka akuzuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, se po udhëheq një politikë që synon dëbimin e serbëve nga Kosova dhe po dëmton, siç tha ai, “trashëgiminë e paqes të presidentit Trump që e arriti gjatë mandatit të parë”.
Në fjalimin e tij gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën, ku po diskutohej raporti i sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres, për Kosovën, Gjuriq u shpreh se komuniteti serb në Kosovë po përballet me “gërryerje sistematike” dhe “një betejë humane për mbijetesë”.
“Ka arrestime arbitrare, dhunë të pakontrolluar dhe një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj parimeve themelore të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Gjuriq, duke shtuar se raporti i Guterresit “pasqyron tmerret e përditshme që po përjetohen atje”.
Sipas tij, qeveria e Kosovës ka shkatërruar “128 institucione jetike” në zonat me shumicë serbe, përfshirë shërbimet sociale, postën, pensionet dhe punësimin, ndërsa “madje edhe Kryqi i Kuq është bërë shënjestër”. Ai theksoi, duke përmendur raportin e Guterresit, se autoritetet e Kosovës “kanë vazhduar të mbyllin institucionet e udhëhequra nga Serbia” dhe se këto veprime janë kritikuar edhe nga aktorët ndërkombëtarë.
Gjuriq foli edhe për, siç tha ai, “sulmet e shpeshta me motive etnike”, duke pretenduar se mbi 30 të rinj serbë janë shënjestruar që nga ardhja në pushtet e Kurtit.
“Nëse je serb, askush nuk të mbron. Ky mohim sistematik i të drejtave themelore është një dështim i thellë moral dhe politik”, deklaroi ai, duke shtuar se “këto mizori burojnë nga një urrejtje e rrënjosur thellë në Prishtinë”.
Ai akuzoi Kurtin për “militarizim të Forcës së Sigurisë (FSK)” dhe për “blerje të dronëve kamikazë”, ndërsa theksoi se “paqja nuk ndërtohet me armatim të njërës palë”.
Gjuriq e quajti “alarmante” situatën rreth Kishës Ortodokse Serbe dhe tha se “sulmet ndaj objekteve fetare janë një erozion i qëllimshëm i identitetit kulturor”.
Ministri serb theksoi se 20 për qind e serbëve janë larguar nga Kosova në një “eksod të heshtur” dhe se vetëm 17 kthime vullnetare janë regjistruar.
“A është kjo shoqëria multietnike që po proklamohet?”, pyeti Gjuriq.
Sipas tij, megjithë “presionet dhe frikësimin”, fryma serbe në Kosovë “mbetet e pathyeshme”, gjë që sipas tij u dëshmua me fitoren e Listës Serbe në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në zgjedhjet lokale që në raundin e parë.
Në fund, Gjuriq i bëri thirrje Kosovës të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke kujtuar se “kjo nuk është kërkesë e Serbisë, por zotim i dhënë nga vetë Kosova”.
“Kurti po e saboton këtë proces dhe po dëmton marrëveshjet dhe trashëgiminë e paqes të presidentit Trump që e arriti gjatë mandatit të parë. Serbia nuk është pengesë – ne jemi pjesë e zgjidhjes”, ka thënë ai.
Gjuriq përfundoi fjalimin me thirrjen që Këshilli i Sigurimit dhe bashkësia ndërkombëtare të “dënojnë shkeljet e të drejtave të serbëve” dhe të garantojnë, siç tha ai, “paqen dhe bashkëjetesën e vërtetë në Kosovë”.
Gjuriq mohon që Vuçiqi po nxit luftë: Ai vazhdimisht ka kërkuar bashkëpunim ekonomik
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, mohon që presidenti serb Aleksandar Vuçiq të ketë bërë ndonjë deklaratë që nënkupton mesazh për nxitje lufte, madje sipas Gjuriqit, presidenti Vuçiq ka kërkuar bashkëpunim ekonomik, siç ishte “Ballkani i Hapur”, të cilin kryeministri në detyrë Albin Kurti e refuzoi.
“Presidenti Vuiçiq u akuzua këtu për nxitje lufte. Ai përveç se nuk ka bërë një deklaratë të tillë në asnjë moment, ai vazhdimisht ka kërkuar bashkëpunim ekonomik përmes nismave siç është “Ballkani i Hapur”, të cilën Kurti e ka refuzuar se ka vazhduar respresionin e vet. Termi gjenocid nuk duhet të keqpërdoret sidomos jo për qëllime politike senzacionaliste. Këto pretendime pa ndonjë provë janë të pabazuara në realitet dhe i shërbejnë vetëm për të fituar poena të dobët politik. Pretendime të tilla poashtu dëmtojnë mundësinë për përparim në normalizim të marrdhënieve midis serbëve dhe shqiptare”, tha Gjuriq.
Gjuriq madje thotë se nuk janë të interesuar për garën se sa shtete tërheqin njohjen e Kosovës dhe sa e njohin, ndonëse Serbia vazhdimisht lobon për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Gjuriq poashtu tha se fjalën Metohi nuk e ndërlidhin me ndonjë politikan të mëhershëm serb.
“Në dekadën e fundit 27 shtete kanë tërhequr njohjen e shpalljes së njëanshme të pavarësisë, vetëm tri shtete kanë njohur të ashtuquajturën pavarësi. Nuk jemi të interesuar për një garë të tillë ose ndonjë betejë politike. Por gjithmonë do të qëndrojmë fuqimisht për qëndrimin tonë për reezolutën 1244, Kushtetutën tonë dhe të drejtën publike ndërkombëtare. Për fund keqinterpretimi i fjalës Metohia, Kosova dhe Metohia siç e themi ne, ka kuptim të thellë historik për njerëzit në Kosovë kam vetëm respekt për shqiptarët, traditën e tyre, kulturën e tyre. Në kulturën e serbëve kuptimi i fjalës Metohi është pronë e kishës dhe manastirit dhe në fakt dokumentet që nga shekujt 11, 12, 13 qartë e theksojnë përdorimin e fjalës Metohi. Kjo nuk është ofendim as përulje dhe nuk mund të lidhet me ndonjë ish politikani të mërparshëm. Është pjesë e identitetit tonë kulturor”, tha gjatë fjalës së tij Gjuriq.
Këtë deklaratë, Gjuriq e bëri pasi ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në hyrje të fjalimit të saj në Këshillin e Sigurimit ka thënë se do që ta bëjë të qartë se “Kosovë e Metohi” nuk ekziston dhe e cilësoi si gjuhë të vjetër të Millosheviqit dhe atyre që e ndjekin.
Përfaqësuesi i UNMIK-ut thirrje Kosovës e Serbisë: Shmangni masat që mund të gërryejnë mirëbesimin
Zëvendëspërfaqësuesi Special i UNMIK-ut, Milbert Dongjoon Shin, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i rikthehen dialogut për zgjidhjen e çështjeve të mbetura.
Ai në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka paraqitur raportin e UNMIK-ut për Kosovën përpara përfaqësuesve të shteteve anëtare të KS të OKB-së.
“Mirëpresim takimet e dialogut në qershor e shtator mes Beogradit e Prishtinës. U bëmë thirrje të dyjave të shmangin masa që mund të gërryejnë mirëbesimin dhe inkurajoj palët që të trajtojnë çështjet e mbetura me mirëbesim dhe në kuadër të kornizës së dialogut”, ka thënë ai.
Shin po ashtu ka folur për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, teksa ka theksuar se shpreson që “në përputhje me vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese përçarjet politike do të tejkalohen”.
Ai përsëriti shqetësimet rreth mbylljes së strukturave paralele në veri.
“Ritheksojmë brengën që bashkë me partnerët ndërkombëtarë kemi shprehur sa i përket ndikimit potencial të mbylljes së institucioneve të udhëhequra nga Serbia në kuptimin e qasjes në shëndetësi, arsim dhe kulturë. Autoritetet e Prishtinës kanë përmendur imperativa administrative ndaj këtyre masave dhe çështjet që janë komplekse. Është me rëndësi që autoritetet e Kosovës të angazhohen me të gjitha komunitetet para se të zbatojnë vendime që ndikojnë në jetën e përditshme të tyre”.
Ndërsa ka përmendur sulmet në Banjskë dhe në kanalin e Ibër-Lepencit, Shin ka bërë thirrje për masa efektive që çojnë në llogaridhënie.
“Kemi kaluar përvjetorin e dytë të incidentin në Banjskë. I bëjmë thirrje autoriteteve në Beograd e Prishtinë, të marrin masa efektive transparente, për të sjellë kryerësit e ngjarjes para drejtësisë. Duke përfshirë edhe bashkëpunimin përmes mekanizmave të krijuar tashmë. Llogaridhënia e plotë është e domosdoshme edhe për ngjarjen e vitit të kaluar në kanalin e Ibër--Lepencit. Jemi të brengosur sa i përket arrestimeve lidhur me shfaqjen e simboleve nacionale e fetare. Ritheksojmë nevojën për të respektuar kornizën ligjore që ekziston në Kosovë e të bëhet baraspeshimi i duhur midis lirisë së shprehjes e parandalimit të nxitjes të dhunës ndëretnike”, shtoi ai.
Ai theksoi rëndësinë e kthimit të serbëve në institucione të Kosovës. Përmendi edhe lirinë e mediave. Tha se mbetet nën presion. Ka përmendur se Asociacioni ka raportuar për sulme ndaj gazetarëve e po ashtu se transmetuesi publik po përballet me sfida ndaj pavarësisë së tij.