Arbëri

Gjinovci: Shqipëria e Serbia po luajnë kumar me dhëndrin e Trumpit

Rron Gjinovci

Panelisti në “Konfront” të KTV-së, Rron Gjinovci, ka thënë se Shqipëria dhe Serbia po luajnë kumar me Jared Kushner, dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Gjinovci ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po luajnë me fatin e vendeve të veta.

“Jared Kushner është dhëndri i Trumpit. Ai ka dy projekte momentalisht në dy vende të dyshimta, Serbia dhe Shqipëria, që e kanë demokracinë e komprometuar, korrupsion në nivele alarmante. Madje Shqipëria është vend që shteti ka hequr dorë komplet nga mbrojtja e qytetarëve. Është një lajm i ‘New York Times’ që thotë se lideri serb po thotë se marrëveshja me Kushnerin nuk është për të influencuar Administratën e mundshme të ardhshme të Amerikës. Këta dy kumargjintë e Ballkanit po luajnë kumar me fatin e vendeve të veta. Këta po investojnë sepse nuk mund të dalin me kartën e demokracisë. Pra, e angazhojnë dhëndrin e Trumpit nëpër projekte që të kenë interesa financiare”, ka thënë ai. 


Spahiu tregon se si një ish-ministër u bë gazi i botës në ambasadën suedeze

Profesori Nexhmedin Spahiu ka treguar një rast se si një ish-ministër i Jashtëm i Kosovës është bërë “gaz i botës” në Ambasadën suedeze. 

Ai ka thënë se në një rast kur Suedia e ka pasur pritjen zyrtare më 6 qershor, ky ministër e ka uruar këtë shtet për “Ditën e Pavarësisë”.

Sipas tij, të gjithë ambasadorët e pranishëm kanë qeshur me urimin e tij, pasi Suedia ka Ditë Kombëtare, por jo Ditë të Pavarësisë. 

“Kemi pasur raste kur Suedia e ka pasur pritjen zyrtare më 6 qershor dhe njëri prej ish-ministrave të Jashtëm tha ‘urime Suedi dita e pavarësisë’. Të gjithë ambasadorët nisën të qeshnin. Si dita e pavarësisë e Suedisë? Këta që ishin ministra të tjerë aty çuditeshin pse qeshnin ambasadorët e tjerë. T’iu tregosh se s’ka Suedia ditë të pavarësisë, por ditë kombëtare. Asnjëri prej ministrave, as ministri i Jashtëm nuk e dinte këtë”, ka thënë ai.


Spahiu: Asnjëherë nuk kemi pasur ministër të Jashtëm të hairit

Profesori Nexhmedin Spahiu ka thënë se Kosova nuk ka pasur asnjëherë ministër të Jashtëm të hairit.

Në “Konfront” të KTV-së, në debatin për diplomacinë e Kosovës, ka thënë se nuk është bërë asgjë në diplomaci.

“Nuk kanë bërë diçka që vlen të përmendet, që kanë bërë ndonjë hap. Kur konsiderohet sukses? Kur prej një vendi lëviz diçka në një tjetër. Marrim shembull, suksesin kur më 1968 kemi marrë autonominë, apo kthim prapa më 1989 kur na është marrë autonomia. E vlerësojmë Rugovën kur e ka marrë Kosovën në një gjendje aparteidi dhe e ka çuar deri te pavarësia. Rugova mund të merret si shembull”, ka thënë Spahiu.


Kraki: Dialogu politik e ktheu Kosovën nga një shtet i pavarur në një me çështje të hapura

Profesori i shkencave politike Nezir Kraki ka thënë se dialogu politik e ka kthyer Kosovën nga një shtet të pavarur në një shtet me çështje të hapura. 

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Kraki ka thënë se kalimi i bisedimeve nga teknike në to për normalizim, Kosovës i ka kushtuar me ngrirje të procesit të njohjeve. 

“Bisedimet që nisën teknike më 2011 dhe që u bënë politike më 2013-tën, pastaj me ato marrëveshjet që u nënshkruan, me disa paraqitje të Kosovës në Këshill të Sigurimit në OKB, ku thuhej nga përfaqësuesit e Kosovës se ne jemi duke biseduar me Serbinë, ende kemi çështje të hapura me të, ai cikël, sidomos pas vendimit të GJND-së më 2010 ka qenë një lloj cikli i çorientimit në aspektin e njohjeve dhe e ka rikthyer Kosovën nga shteti i pavarur legjitimisht që kërkon njohje, në një shtet çështje të hapur, i cili, siç kanë thënë edhe shumë shtete hezituese, ta presim çka do të arrijnë Kosova dhe Serbia me dialog dhe pastaj vendosim. Kjo i ka kushtuar Kosovën me ngrirje të procesit të njohjeve, në pritje të një gjëje të re që do të dilte nga dialogu”, ka thënë ai.