Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia do të humbë të paktën 750 milionë euro pasi që dhëndri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Jared Kushner, është tërhequr nga ndërtimi i një hoteli në Beograd, në vendin e ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë. Ajo godinë ishte shkatërruar gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
Kompania e Kushnerit “Affinity Partners” kishte planifikuar të ndërtonte aty një hotel luksoz.
Por, hoqi dorë në ditën Prokuroria Publike për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit aktual të Kulturës, Nikolla Selakoviq, për shkelje gjatë heqjes së statusit të pronësisë së objekteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore ndaj ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, në qendër të Beogradit.
Selakoviq akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.
E presidenti i Serbisë, Vuçiq ka thënë se janë humbur të paktën 750 milionë euro për shkak të fushatës “Shtabi i Përgjithshëm”. Ai tha se u humb një mundësi e shkëlqyer dhe se do të ngritët padi ndaj të gjithë personave, që morën “pjesë në ndjekje për ta shkatërruar këtë investim”.
“Fushata kundër Shtabit të Përgjithshëm po fillon si një fushatë në mbështetje të bllokadës kundër njerëzve që po e bënin punën e tyre me përgjegjësi dhe seriozitet. Sepse gjithçka duhet të shpifet, gjithçka duhet të shkatërrohet, të bëhet sa më keq, në mënyrë që të jenë të mirë, të shkatërrohet Serbia, të lihet pa investues, të lihet pa energji elektrike, të lihet pa paga, të zhvillohen greva të përgjithshme dhe gjithçka tjetër. Që Serbia të zhduket nga harta e vendeve të suksesshme”, tha
Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, transmeton “RTS”.
Ai tha se çështja e Shtabit të Përgjithshëm vetëm tash po bëhet çështje.
“Dhe, për fat të keq, për shtetin dhe popullin, ne jemi humbës të mëdhenj. Humbëm një investim të jashtëzakonshëm prej 750 milionë eurosh minimalisht. Dëmi total që na shkaktuan bllokuesit dhe prokuroria është jo më pak se 1.5 miliardë në mënyrë të ndryshme”, tha Vuçiq.
Vuçiq tha se është humbur një mundësi e shkëlqyer. Ai përmendi se Shqipëria do të fitojë shumë publicitet me investimet në ishullin e Sazanit nga Kushneri.
“Sot po flitet keq për Serbinë, sepse dikush po thotë se ishte një projekt i keq. Një projekt më i vogël dhe nuk e di sa i keq, i cili u përfundua me nxitim, mori shumë vëmendje në Shqipëri dhe do të marrë publicitet të madh, sepse e gjithë familja Trump do ta lavdërojë atë projekt”, tha Vuçiq.