Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Rajon

Roli i fshehtë i Vuçiqit në përpjekjen “e paligjshme” për ta ndihmuar biznesin e Trumpit

Vucic - Kushner

Sundimtari autoritar i Serbisë ndërhyri personalisht për ta çuar përpara një skemë të pretenduar si të paligjshme, që synonte t’ia kalonte një lokacion të mbrojtur në Beograd një projekti për ndërtimin e një kulle Trump, zbulon The Guardian.

Aleksandar Vuçiq thirri zyrtarë në një takim në zyrat e presidencës për të diskutuar projektin, i cili ka përfunduar me ngritjen e një aktakuze kundër figurave të larta të regjimit të tij, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Besohet se kjo çështje penale është e para që buron nga fushata globale e familjes Trump për të fituar para, të cilën kritikët e përshkruajnë si një marrëveshje të tipit “paguaj për të përfituar”, ku gjithçka, nga lehtësimi i sanksioneve deri te çipat më të avancuar, janë në dispozicion të atyre që pasurojnë familjen e parë amerikane dhe bashkëpunëtorët e saj.

Skema e pretenduar për të anashkaluar statusin e mbrojtur të një ndërtese historike në kryeqytetin serb rëndon mbi zgjedhjet e planifikuara për 25 tetor, në të cilat Vuçiqi do të synojë ta zgjasë pushtetin e tij 12-vjeçar, përballë një lëvizjeje masive protestuese të nxitur nga korrupsioni qeveritar.
Nacionalist Vuçiq, ish-shef i propagandës nën Slobodan Millosheviqin, priti në Beograd djalin e presidentit amerikan, Donald Trump Jr., dhe dhëndrin e tij, Jared Kushner, ndërsa ata zhvillonin planet për një hotel dhe kompleks banimi në vlerë prej 500 milionë dollarësh, që do t’u shtohej portofolave të tyre globale të pronave të paluajtshme.

Pasi në dhjetor të vitit të kaluar u ngritën akuzat për keqpërdorim të pushtetit, kompania e Kushnerit njoftoi se projekti nuk do të vazhdonte “për momentin”. Vuçiqi kërcënoi me hakmarrje, duke i quajtur prokurorët “banda të korruptuara” që “fabrikuan raste”.

Edhe Vuçiqi thotë se përkrahja për SHBA-në në Serbi është rritur gjatë mandatit të Trumpit Rajon Vuçiqi thotë se përkrahja për SHBA-në në Serbi është rritur gjatë mandatit të Trumpit

“Kemi humbur një investim të jashtëzakonshëm”, tha Vuçiqi, atëbotë president i Serbisë. “Unë personalisht do të sigurohem që të gjithë ata që kanë marrë pjesë në shkaktimin e këtij dëmi të mbahen përgjegjës”.

Ministri i Kulturës i Vuçiqit është në mesin e të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Megjithatë, një hetim i “The Guardian”, i bazuar në intervista dhe dokumente të rrjedhura, zbulon se vetë Vuçiqi drejtoi takimin fillestar ku u diskutua skema e pretenduar. Ky takim i rëndësishëm nuk përmendet në aktakuzë, duke ngritur pikëpyetje se çfarë informacionesh po mbajnë të fshehta prokurorët dhe përse.

Përfaqësuesit e familjeve Trump dhe Kushner thanë se ata nuk kishin pasur asnjë rol në heqjen e statusit nën mbrojtje që e kishte ndërtesa dhe se do të ishte “e pavërtetë” të thuhej se projekti në Beograd ishte pjesë e një skeme “paguaj për të përfituar”.

Vuçiqi nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Vendimi i tij për të shpallur zgjedhje të parakohshme nënkupton se seanca gjyqësore, në të cilën dëshmitarët mund të zbulojnë hollësi për përfshirjen e tij, nuk do të mbahet deri pas votimit.

Qira falas për 99 vjet

Më 6 shkurt 2024, Dubravka Gjukanoviq, një profesoreshë në të gjashtëdhjetat e saja, mbërriti për një takim në presidencë, një ish-pallat mbretëror me kupolë. Për tre vjet, ajo kishte qenë drejtoreshë e Institutit shtetëror për mbrojtjen e monumenteve të kulturës.

Tema e takimit ishte ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm, ish-ministria jugosllave e Mbrojtjes në qendër të Beogradit. Ndërtesa, një kryevepër arkitekturore që konsiderohet simbol i rezistencës ndaj nazistëve, ishte e çmuar për publikun edhe para se forcat e NATO-s ta bombardonin në vitin 1999, gjatë fushatës për ta detyruar Millosheviqin të tërhiqej nga Kosova. Kjo ia kishte shtuar edhe më shumë rëndësinë simbolike.

Vetë Vuçiqi e kishte riafirmuar statusin ligjor të mbrojtur të ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në vitin 2016. Tash, sipas dy personave që kishin njohuri për takimin, presidenti i tha Gjukanoviqit se dëshironte që ajo t’ia hiqte këtë status. Një “investitor i huaj”, pa u specifikuar se kush ishte, kishte shprehur interesim për lokacionin.

Sipas ligjit serb, heqja e statusit të mbrojtur të ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm nuk ishte në kompetencën e Gjukanoviqit. Instituti i saj duhej të porosiste një ekspertizë, e cila do të duhej të arrinte në përfundimin se ekzistonin arsye të mjaftueshme që ndërtesa të mos e meritonte më statusin e një objekti të mbrojtur. Sipas burimeve, toni i Vuçiqit ndaj Gjukanoviqit dhe një zyrtareje tjetër të trashëgimisë kulturore, e pranishme në takim, ishte i pakëndshëm. Ai u tha se ishin dembele dhe të paafta. Mesazhi ishte i qartë: bëni atë që dua unë ose jepni dorëheqje.

Një shpjegim i besueshëm për ndërhyrjen e fuqishme të Vuçiqit erdhi muajin pasues, kur u publikua një marrëveshje ndërmjet Qeverisë serbe dhe kompanisë së pasurive të paluajtshme të Kushnerit.
Kushneri, i martuar me vajzën e Trumpit, Ivanka, kishte qenë një këshilltar me ndikim në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të vjehrrit të tij. Pas fitores së Joe Bidenit në zgjedhjet e vitit 2020, Kushneri ishte përqendruar te fondi i tij i investimeve.

Në fillim të vitit 2024, Trumpi po shkonte drejt sigurimit të nominimit republikan dhe konsiderohej favorit për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme. Nëse Trumpi do të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë, Kushneri do të bëhej sërish një nga njerëzit më me ndikim në planet.

Marrëveshja e publikuar tregonte se autoritetet serbe ia kishin dhënë kompanisë së Kushnerit me qira, për 99 vjet dhe pa pagesë, lokacionin e Shtabit të Përgjithshëm.

Kushneri, zëdhënësi i të cilit tha se ai po e shqyrtonte projektin që nga viti 2021, publikoi në rrjetin X një imazh të projektit, duke shprehur entuziazmin e tij.

Lajmi nuk u prit mirë nga të gjithë në Beograd.

“Serbia nuk është bufe dhe Vuçiqi nuk është kamerier”, tha Aleksandar Jovanoviq Quta, aktivist mjedisor që e zbuloi marrëveshjen. “Kjo nuk është pronë e tij private”.

Megjithatë, regjimi i Vuçiqit vazhdoi dhe nënshkroi një kontratë, më datën 13 maj 2024, të cilën e ka parë “The Guardian”. Në të, Qeveria merrte përsipër që “statusi i trashëgimisë kulturore” i lokacionit të hiqej “në mënyrë të kënaqshme” për kompaninë e Kushnerit.

Një javë pas nënshkrimit të kontratës, Gjukanoviq u thirr në një takim tjetër. Këtë herë presidenti nuk ishte i pranishëm. Takimin e drejtoi Sinisha Mali, ministri i Financave dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Vuçiqit.

Sipas përmbledhjes së dëshmive që të dyja gratë do t’u jepnin më vonë prokurorëve, Mali u kërkoi Gjukanoviqit dhe Olivera Vuçkoviqit, zyrtares më të lartë të trashëgimisë kulturore në Beograd, që ta anulonin statusin e mbrojtur të lokacionit të Shtabit të Përgjithshëm.

Aktakuza nuk i referohet takimit të mëparshëm me presidentin, por tregon se çështja ishte diskutuar edhe më herët.

“Mali i pyeti nëse e kishin shqyrtuar këtë çështje dhe nëse do ta nisnin procedurën për heqjen e statusit të mbrojtur të ndërtesës”, thuhet në aktakuzë.

Gratë refuzuan, “duke besuar se nuk ishin përmbushur kushtet ligjore për këtë”. Në atë rast, Mali u tha se duhej të jepnin dorëheqje, duke përsëritur ultimatumin që shefi i tij ua kishte dhënë në shkurt. Ato dhanë dorëheqje.

Në letrën e saj të dorëheqjes, të cilën e ka parë “The Guardian”, Gjukanoviq shkroi se nuk mund të pajtohej me “ndërhyrjet e papërshtatshme që do t’i shkatërronin përgjithmonë të gjitha vlerat e kompleksit, i cili dëshmon arritjet më të larta të arkitekturës bashkëkohore serbe dhe ka rëndësi të pallogaritshme për ruajtjen e vlerave krijuese të qëndrueshme, edukimin e brezave të ardhshëm dhe forcimin e identitetit kulturor të popullit serb”.

Të kontaktuara nga “The Guardian”, Gjukanoviq dhe Vuçkoviq konfirmuan saktësinë e këtij rrëfimi. Gjukanoviq shtoi: “Preferoj të mos bëj asnjë deklaratë për këtë çështje derisa procedurat gjyqësore të jenë në zhvillim”.

Për muaj të tërë nuk u dëgjua shumë për projektin e Shtabit të Përgjithshëm. Në nëntor, Trumpi e mundi Kamala Harrisin dhe fitoi zgjedhjet për president në SHBA. Dhjetë ditë më vonë, Qeveria e Vuçiqit njoftoi se lokacionit të Shtabit të Përgjithshëm i ishte hequr statusi i mbrojtur.

Biznesi familjar

Një nga gjërat e para që bëri Trumpi pasi u rikthye në Presidencë ishte braktisja e zotimit të mandatit të tij të parë, sipas të cilit bizneset e familjes së tij nuk do të lidhnin marrëveshje jashtë vendit gjatë kohës që ai ishte në detyrë.

“Shkalla e korrupsionit do të jetë shumëfish më e madhe se ajo që pamë gjatë administratës së parë Trump”, paralajmëroi në atë kohë Kathleen Clark, eksperte e etikës qeveritare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Washingtonit. Sipas saj, Trumpi e kishte bërë shumë më të lehtë blerjen e favoreve të tij.

Biznesi familjar mbeti zyrtarisht nën kontrollin e dy djemve të tij më të mëdhenj, Donald Trump Jr. dhe Ericut. Në janar të vitit 2025, katër ditë pas inaugurimit të babait të tyre, Ericu foli për disa projekte të reja. Familjet Trump dhe Kushner, dy familje të New Yorkut të lidhura përmes martesës dhe të angazhuara në biznesin e pasurive të paluajtshme, kishin vendosur të ndërmerrnin sipërmarrjen e tyre të parë të përbashkët: hoteli dhe kulla në Beograd e Kushnerit do të mbanin emrin Trump.
“Do të jetë kënaqësi që ta bashkojmë familjen”, i tha Ericu, “New York Times”. “Serbia është një nga vendet me rritjen më të shpejtë në Evropë dhe jemi jashtëzakonisht të nderuar që jemi atje”.
Kushneri, i cili kishte udhëtuar në Beograd për një takim me udhëheqësin serb, të cilin Vuçiqi e cilësoi si “frymëzues”, shtoi: “Hulumtimi ynë tregoi se marka Trump do të ishte më e përshtatshmja për këtë treg”.

Kjo markë ka përjetuar një rritje të kërkesës në mbarë botën gjatë mandatit të dytë të Trumpit, e shoqëruar me akuza se ajo vjen me marrëveshje të ndërsjella për përfitime politike.

Edhe Kolumne Kur çdokund ulesh, diku ngulesh (rasti Aleksandar Vuçiq)

Në Vietnam, Ericu u prit me konfeti në ceremoninë e fillimit të punimeve për një resort golfi në vlerë prej 1.5 miliard funtesh, për të cilin lejet ishin dhënë me shpejtësi të pazakontë. Më pas, Trumpi i përgjysmoi tarifat doganore për Vietnamin.

Sauditët derdhën para në fondin e Kushnerit dhe më pas dolën planet për një kompleks Trump Plaza në Jeddah. Pastaj Trumpi ra dakord t’i shiste mbretërisë saudite avionë të rinj luftarakë amerikanë.
Kompania e një manjati të kriptomonedhave dhe zyrtarë të lartë nga Emiratet e Bashkuara Arabe realizuan një transaksion fitimprurës me World Liberty Financial, sipërmarrjen e monedhave digjitale të themeluar nga Donald Trump Jr. dhe Ericu. Trumpi e fali manjatin e kriptomonedhave, ndërsa Emiratet fituan qasje në çipa amerikanë.

I pyetur për marrëveshje të tilla vitin e kaluar, Kushneri, i cili tani është i dërguar i Trumpit për Rusinë, Izraelin dhe vende të tjera, tha: “Ajo që njerëzit e quajnë konflikt interesi… unë e quaj përvojë dhe marrëdhënie besimi që kemi në mbarë botën”.

Ata që krijojnë “marrëdhënie besimi” me familjen Trump, edhe nëse nuk ekziston një marrëveshje e qartë për shkëmbim përfitimesh, fitojnë diçka më pak të prekshme, por ndoshta edhe më të vlefshme: aurën e miqësisë me një president që është i gatshëm ta përdorë fuqinë e tij, superfuqi, për t’i ngritur ose rrëzuar shtetet më të vogla dhe udhëheqësit e tyre.

Vuçiqi ka shumë të përbashkëta me Trumpin. Të dy kanë marrëdhënie miqësore me presidentin rus Vladimir Putin dhe e përçmojnë Bashkimin Evropian — në rastin e Vuçiqit, pavarësisht se Serbia ka aplikuar për anëtarësim në të.

Përbuzja e përbashkët ndaj NATO-s mund të ndihmojë në shpjegimin se përse i vetmi element i trashëgimisë kulturore të ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, që projekti i rindërtimit premtonte ta ruante, ishte një memorial kushtuar “agresionit” të aleancës kundër Serbisë.

Dhe ka shumë çështje për të cilat Vuçiqi mund të shfrytëzonte ndihmën e SHBA-së, ndër to edhe çështja e Kosovës, për të cilën ai thotë se ende është pjesë e Serbisë.

Jo shumë kohë pasi babai i tij u rikthye në pushtet, Donald Trump Jr. mbërriti në Beograd. Vuçiqi tha se gjatë takimit me të kishte “theksuar rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike dhe politike ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy vendeve dhe projekteve të përbashkëta në vitet në vijim”.

Kur Don Jr. u kthye muajin pasues, Vuçiqi e gostiti me një derr të pjekur.

Për Vuçiqin, mbështetja e familjes së parë amerikane erdhi në një moment të përshtatshëm. Disa ditë para se regjimi i tij t’ia hiqte mbrojtjen lokacionit të Shtabit të Përgjithshëm, shembja e tendës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit 2024, ku humbën jetën 16 persona, nxiti protesta të vazhdueshme kundër korrupsionit.

Slogani i organizatorëve studentorë u bë “Serbia ose mafia”.

Vizita e Don Jr. ndodhi në prag të demonstratës më të madhe në historinë e Serbisë. Ai e ftoi Vuçiqin në podkastin e tij, Triggered, dhe deklaroi se kundërshtarët e udhëheqësit serbë po e “shfrytëzonin si armë politike” tragjedinë e Novi Sadit, ashtu siç kundërshtarët e Trumpit kishin vepruar me trazirat në Capitolin amerikan pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2020.

Megjithatë, protestuesit e ruajtën vrullin dhe nisën të protestonin edhe kundër kullës Trump.
Në maj të vitit 2025, Vuçiqi udhëtoi drejt SHBA-së, me shpresën se do të takohej me Trumpin në Mar-a-Lago, klubin privat të presidentit në Florida. Ai arriti të takohej me Rudy Giulianin, ish-avokatin e diskredituar të Trumpit, por jo me vetë presidentin. Mediat shtetërore raportuan se kjo ndodhi për shkak se Vuçiqi ishte sëmurë.

Sapo Vuçiqi u kthye në Serbi, policia arrestoi Goran Vasiqin, personin që ishte emëruar në krye të Institutit të Trashëgimisë Kulturore për ta zëvendësuar Dubravka Gjukanoviqin pas dorëheqjes së saj.
Sipas prokurorëve, për ta realizuar anulimin e statusit të mbrojtur të ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, Vasiqi kishte falsifikuar një ekspertizë në mbështetje të këtij vendimi.

Pasuan arrestime të tjera. Në dhjetor të vitit 2025, ministri i Kulturës i Vuçiqit u akuzua për keqpërdorim të detyrës zyrtare për rolin e pretenduar në skemën e Shtabit të Përgjithshëm. Brenda pak ditësh, kompania e Kushnerit njoftoi se projekti ishte anuluar.

Kërcënimi i Vuçiqit për hakmarrje nuk ishte i zbrazët.

Aleatët e tij sulmuan Gjukanoviqin, duke pretenduar se ajo kishte tentuar të përfitonte personalisht nga koha e saj si zyrtare e trashëgimisë kulturore.

Zëvendësja e saj, e cila u vizitua nga shërbimi i sigurisë shtetërore pasi doli në televizion për ta dënuar heqjen e statusit të mbrojtur të ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, është akuzuar për shkelje të tjera, pa lidhje me këtë çështje. 

Pritet që të dyja gratë të dëshmojnë në procedurat penale.

Vuçiqi i akuzon prokurorët se po organizojnë një grusht shteti. Të tjerë, megjithatë, kanë frikë se ata po tregohen tepër të kujdesshëm dhe nuk po shkojnë mjaftueshëm larg.

Ky shqetësim u shtua në prill, kur ministri i akuzuar i Kulturës, Nikola Selakoviq, zbuloi gjatë një paraqitjeje në gjykatë se, ndërsa policia po bastiste Ministrinë e tij, ai ndodhej në zyrën e vet duke pirë raki kumbulle dhe duke tymosur cigare me Mladen Nenadiqin, drejtuesin e njësisë së prokurorisë për krimin e organizuar.

Zëdhënësi i kësaj njësie tha se nuk kishte pasur “asnjë diskutim lidhur me rrjedhën e çështjes”.

“Në gjithçka që ndodhi lidhur me investimet e mundshme, unë pashë një mundësi për vendin dhe qytetarët tanë”, tha Selakoviqi, i cili rrezikon deri në tre vjet burg nëse shpallet fajtor.

Vuçiqi nuk është akuzuar. As bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Mali. Të dy i mohojnë shkeljet.
Aktakuza u referohet dëshmive të personave që ishin të pranishëm në takimin e Vuçiqit në shkurt të vitit 2024, por nuk e përmend vetë takimin. Kjo ngre pikëpyetje lidhur me vendimin e dukshëm për të lënë jashtë një element që duket se është pjesë kyçe e rrëfimit të ngjarjeve.

Zëdhënësi i njësisë së Prokurorisë për krimin e organizuar tha se ajo kishte prova lidhur me takimin e Vuçiqit me zyrtarët e trashëgimisë kulturore në shkurt të vitit 2024.

Përveç personave që tashmë janë akuzuar, prokurorët po “zhvillojnë procedura hetimore paraprake në këtë rast për të përcaktuar përgjegjësinë e mundshme penale të personave të tjerë”, shtoi zëdhënësi.
Vuçiqi është larguar nga posti i presidentit dhe nuk mund të kërkojë një mandat tjetër, por pritet ta ruajë kontrollin mbi regjimin nëse zgjidhet kryeministër më 25 tetor.
Në një nga aktet e tij të fundit si president, ai dha 49 falje. Disa nga përfituesit nuk janë identifikuar dhe nuk është e qartë nëse në mesin e tyre ka edhe të pandehur në çështjen e Shtabit të Përgjithshëm.

Shtëpia e Bardhë ua përcolli pyetjet e gazetarëve kompanisë së familjes Trump. Përfaqësuesi i saj tha: “Trump Organization nuk ka plane për të zhvilluar ndonjë projekt në Beograd, nuk ka qenë kurrë, në asnjë moment, e përfshirë në diskutime ose negociata për blerjen e ndonjë lokacioni në Beograd dhe mohon çdo përfshirje ose njohuri lidhur me pretendimet e ngritura”.
Zëdhënësi i Kushnerit tha: “Pretendimi se Jared Kushner e ndoqi projektin në Beograd si pjesë të ndonjë marrëveshjeje politike apo skeme ‘paguaj për të përfituar’ është kategorikisht i pavërtetë”.
Sipas tij, bëhej fjalë për “një mundësi për ta shndërruar një lokacion të lidhur me një kapitull të dhimbshëm të historisë së Serbisë në simbol të shërimit dhe pajtimit, duke sjellë njëkohësisht investime të konsiderueshme private, vende pune dhe mundësi ekonomike për Beogradin”.

“Jaredi nuk ka pasur asnjë përfshirje në proceset e brendshme të qeverisë serbe lidhur me statusin e mbrojtur të lokacionit”, tha zëdhënësi i Kushnerit. 

Pavarësisht vështirësive të Vuçiqit, historia e Trump Tower në Beograd nuk duket se i ka dekurajuar të tjerët që të bëjnë biznes me familjen e parë amerikane.

Edhe Kolumne Dhëndri i Trumpit dhe ora historike e Serbisë

Trumpi vazhdon të ketë aksione në dhjetëra kompani të tij, edhe nëse ato drejtohen nominalisht nga djemtë e tij.

Në korrik, ai publikoi deklarimin e pasurisë për vitin e parë pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë. Dokumenti tregonte se ai kishte fituar 2 miliardë dollarë.