Një ditë pasi organizatat e shoqërisë civile e akuzuan kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, se ia ka mundësuar serbes, Dragica Gashiq, që të kthehet e të jetojë në pronë të Komunës, ky i fundit ka mohuar se komuna të cilën ai udhëheq t’i ketë lëshuar leje për shfrytëzim të pronës. Sipas Gjinit Gashiq, këtë të drejtë të shfrytëzimit të pronës e kishte qysh në vitin 1997
“Gashiq e ka të fituar të drejtën e shfrytëzimit të pronës në 1997 dhe KPA-ja e ka lëshuar atë ndërsa komuna s’ka qenë e informuar. Kemi biseduar me policinë i kuptojë thirrjet e nënave, për shkak se kanë dhimbje të madhe, brenga të mëdha por besoj që nuk kemi nevojë ta politizojmë së tepërmi. E kuptoj që jemi afër zgjedhjeve dhe gjithkush dëshiron të dalë me diçka, por janë të gabueshme këto “ ka thënë Gjini në një deklaratë për media.
Gjini më tutje ka bërë thirrje që të mos krijohen provokime të tilla, sidomos në Gjakovë.
“Komuna nuk e ka dhënë pronën në shfrytëzim, ajo e ka pas lejen e shfrytëzimit më herët, por prona si pronë është e komunës pasi që e drejta e shfrytëzimit nuk e njeh të drejtën e bartjes së pronësisë, mirëpo ne nuk e kemi lëshuar. Për një gjë të tillë ka institucione që japin përgjigje për këto që kanë ndodh. Unë mendoj se është kohë delikate me provoku çfarëdo lloj reagimi sidomos në Gjakovë,kur dihet që Gjakova e ka numrin më të madh të viktimave civile, shtëpi e pronave të shkatërruara dhe të pagjeturve” ka thënë më tutje Gjini.
Ndërsa këtë të hënë drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë Serbe, Petar Petkoviq ka takuar në Graqanicë të kthyerën Dragica Gashiq e cila po konsiderohet si personi i parë i kthyer në Gjakovë që nga viti 1999.
Edhe
Serbia bën politikë me të zhvendosurit
Petkoviq ka thënë se zyra që ai udhëheq dhe shteti i Serbisë, do të angazhohen për ta ndihmuar atë në çdo mënyrë të mundshme për të rritur sigurinë e saj dhe cilësinë e jetës së saj.
“Unë sot jam takuar me Dragicën dhe kam folur për gjithçka me të cilën ajo po përballet që nga kthimi i saj në banesën dhe vendlindjen e saj. Ajo po përballet me shumë gjëra, para se gjithash në aspektin e sigurisë, me kërcënime të ndryshme, si gjuajtje me gur, ngjitje të fotove të ndryshme të njerëzve të vrarë, ndoshta me mesazhin se edhe ajo do të përfundojë kështu. Përse duhet t’i pengojë dikujt një grua serbe? Ajo nuk do ta kërcënojë askënd”, ka thënë Petkoviq.
Ai më tutje ka theksuar se nuk e kupton idenë se si 11 organizata në Kosovë do të dërgojnë një peticion për dëbimin e saj nga qyteti i Gjakovës.
Ndërsa e kthyera Dragica Gashiq pas takimit që ka pasur me Petkoviqin ka folur për torturat siç ka thënë ajo që i janë bërë pasi u kthye në vendlindjen e saj.
“Ata hodhën gurë në dritaren time, mi kanë thyer roletat, më kanë ngjitur fotografi duke më kërcënuar se do të masakrojnë dhe rrahin. Çdo natë nga tri herë më trokasin në derë dhe unë pastaj nuk mund të fle. Policia po më ofron siguri por ata më ndjekin edhe pasi largohet policia pas 20 minuta vijnë dhe më trokasin në derë” ka thënë Gashiq për mediat serbe.
E lidhur me kthimin e Gashiq në Gjakovë është deklaruar edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, i cili ka thënë se peticioni i 11 organizatave joqeveritare për të dëbuar gruan serbe nga Gjakova, tregon për atë që serbët mund të presin në Kosovë.
Edhe
FDH-ja kërkon nga Komuna e Gjakovës ta tërheqë padinë ndaj Gashiqit
I pyetur për peticionin dhe nëse kthimi i serbëve në Kosovë është i mundur, Vuçiq ka thënë se shqiptarët e konsiderojnë Gjakovën qytet të ndaluar për shkak të krimeve të kryera.
“Ky nuk është lajm i madh, e problemi është se shoqëria civile e atjeshme, si dhe politika, të gjithë së bashku me mentorët e tyre të huaj, marrin frymë me të njëjtat mushkëri, në të njëjtën mënyrë dhe ky është thelbi i problemit tonë”, ka thënë Vuçiq.
E për kërkesën për dëbimin e Gashiq nga komuna e Gjakovës ka shkruar edhe avokati Arianit Koci. Koci përmes një statusi në Facebook ka thënë se Gashic nuk mund të dëbohet në rast se nuk ka kryer asnjë krim në Kosovë.
“Në anën tjetër, nëse e njëjta ka kryer ndonjë krim, situata qenka e mirë për neve. Organet kompetente tani, pasi është në Kosovë, mund ta arrestojnë dhe ta procedojnë penalisht. Por, nëse nuk ka prova se e serbja e kthyer, ka kryer krime - nuk mund t’ia ndalojmë kthimin. Çka nëse e njëjta është dërguar me mision? Ne e dëbojmë, dhe Serbia e shfrytëzon këtë çështje, që të na godasë neve? Gruaja serbe nuk duhet të dëbohet. Nuk paraqet rrezik për askënd. Në anën tjetër, le të jetojë mes shqiptarëve dhe le ta kuptojë personalisht çfarë krime kanë kryer kriminelët serbë. Ne nuk jemi si ata. Për atë arsye, ata i ka bombarduar bota demokratike. Sidoqoftë, do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi - sa të jetë jeta jetë. E kriminelët, herë do kur do të vihen para drejtësisë” ka shkruar mes tjerash Koci.
Një ditë më parë “Thirrjet e Nënave “ dhe organizata të tjera të shoqërisë civile kanë paralajmëruar dërgimin e një peticioni në qeverinë e Kosovës për dëbimin e shtetases serbe nga Gjakova.
Edhe
Komuna e Gjakovës padit Dragica Gashiqin