Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut kanë kërkuar që Komuna e Gjakovës të tërheqë padinë në Gjykatën Themelore të kësaj komune ndaj Dragica Gashiqit.
Ditë më parë, kjo komunë paditi serben Gashiq që në fillim të qershorit u bë serbja e parë që u kthye për të jetuar në Gjakovë. Komuna me padi kërkoi anulimin e kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme. Po ashtu Komuna kërkoi që të paditurës t’i caktohet një përfaqësues ligjor i përkohshëm, pasi nuk i dihet vendbanimi.
Në një komunikatë për media të enjten, FDH-ja ka thënë se është e shqetësuar për situatën e krijuar me rastin e kthimit të Gashiqit në Kosovë.
“Ne konsiderojmë që një veprim i tillë është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe nuk është në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht bie ndesh me nenin 156 të saj, me titull ‘Refugjatët dhe Personat e Zhvendosur brenda vendit’, ku thuhet se Republika e Kosovës promovon dhe lehtëson kthimin e sigurt dhe me dinjitet të refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit dhe u ndihmon atyre për kthimin e pronave dhe posedimeve të tyre. Znj. Gashiq posedon dokumentet e nevojshme, me të cilat ajo vërteton të drejtën e saj për shfrytëzim të pronës, e drejtë kjo e cila i është dhënë me vendimin e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Kjo Agjenci duke pasur për bazë kërkesën e znj. Gashiq, më 9 qershor 2021 e kishte liruar banesën e saj duke e larguar familjen e cila kishte qenë aty, për ta mundësuar kthimin e znj. Gashiq në atë banesë”, thuhet në reagimin e FDH-së që ka shtuar se situata e krijuar si rezultat i ardhjes së saj dhe ndërmarrja e veprimeve ligjore, “janë në kundërshtim me frymën demokratike dhe multietnike të shtetit të Republikës së Kosovës dhe nuk kontribuon në procesin e ballafaqimit me të kaluarën”.
“Prandaj i bëjmë thirrje autoriteteve lokale të Gjakovës që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke e tërhequr padinë ndaj znj. Gashiq, dhe duke ia lehtësuar kthimin dhe qëndrimin e saj në Gjakovë”, thuhet në fund të reagimit.
Edhe
Komuna e Gjakovës padit Dragica Gashiqin
Gashiq u bë gruaja e parë serbe që u kthye në Gjakovë pas luftës të vitit 1999.
Dragica Gashiq thotë se është e padëshirueshme në Gjakovë dhe se për çdo ditë ka pasur sulme, prandaj policia e shoqëronte kudo, madje edhe kur shkonte në dyqan.
Për shkak të kësaj, ajo vendosi të zëvendësonte derën e banesës me një të blinduar dhe dëshironte që të vendoste hekura mbi të, por një gjë e tillë nuk iu lejua.
Gashiq kishte planifikuar që të kthehej në Gjakovë, por tani procesi gjyqësor ia ka komplikuar planet.
Ajo pretendon se e ka të gjithë dokumentacionin që vërteton se është pronare e banesës.
Dyshohet se Dragica Gashiq është e padëshirueshme në Gjakovë për shkak se në kohën para luftës ka punuar në policinë serbe. Por, ajo ka theksuar se nuk i ka bërë keq askujt dhe se në polici ka punuar vetëm si pastruese.
Kthimi i saj kishte nxitur reagime brenda kësaj komune.
Edhe
Gjykata ia lejon Gashiqit banimin në banesë, refuzon propozimin e Komunës së Gjakovës
Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e nënave” nga Gjakova kishte deklaruar për REL-in se familjarët e personave të pagjetur nuk e miratojnë kthimin e Gashiqit në Gjakovë.
Në Gjakovë, gjatë luftës në vitet 1998 dhe 1999 janë vrarë më shumë se 1.000 civilë shqiptarë, shumica e tyre meshkuj. Disa prej tyre edhe më tej janë persona të pagjetur.