Reshjet e pandërprera të shiut kanë shkaktuar përmbytje, duke dëmtuar dhjetëra shtëpi në Gjakovë, si dhe fshatrat e kësaj komune. Banorët detyrohen të qëndrojnë jashtë për shkak të lagështisë e kryetari i Komunës, Ardian Gjini, premton zgjidhje emergjente duke ju siguruar strehim deri në normalizim të situatës.
Mëngjesi i së shtunës i gjeti duke u marrë me pasojat e përmbytjeve. Dhjetëra familje të lagjes “Berkoc” në Gjakovë u evakuuan prej ekipeve të shpëtimit, duke e kaluar ditën nën qiell të hapur, në tokën e baltosur e me ujë përreth.
Banorët tregojnë se kjo nuk është hera e parë që uji hyn në çdo cep të shtëpive pas vërshimeve të mëdha.
Hallin se si do ta kalonin natën në këtë gjendje e ndanin me drejtorin për mbrojtje dhe shpëtim, i cili ishte i pari që i vizitoi me mëngjes.
“Ti nuk ke hy me pa andej. Ti me shku në oborr me hy me e pa edhe derën ma ka prishë, me miell, me çka kam pasë. As nuk kam ku me flejt. Tash nuk kemi as ku me qëndru”, dëgjohet që i thotë një banore atij.
“As sonte nuk kemi ku me flejt. As dyshek nuk kemi ku të flejmë sonte”… “Thuni Ardian Gjinit le të vjen le ta sheh vet. Le të vjen ai, jo këta me ardhë”, thotë një tjetër qytetar.
“Nuk mundemi këtu me qëndru jo vetëm 10 minuta, por hiç. Një strehim me na e ba me na largu nga këtu. Se nuk është hera e parë, por kjo është për çdo herë. Na qështu po duhet me ndejt. Krejt jemi kanë në gjumë kur na ka hy uji, kojshia na ka shpëtu”, ka thënë banorja Vahide Ibrahimi.
E drejtori, Haxhi Sejdiu, për ta pati një përgjigje.
“Ekipet tona janë duke reaguar, duke intervenuar. Këtu së pari kanë intervenuar për shpëtimin e jetëve në rend të parë, do të thotë i kanë evakuuar këta banorë prej mbytjes së ujit, mbas andej janë duke punuar nëpër bodrumet e shtëpive dhe objekteve, kështu që kemi ekipe me pompa për të intervenuar”, ka thënë ai.
Pasdite banorët u vizituan edhe nga kryetari i Gjakoves, Ardian Gjini së bashku me ministrin Xhelal Sveçla, Elbert Krasniqin, si dhe disa deputetë. Ai premtoi fillimisht zgjidhje emergjente e pastaj edhe të përhershme për këta banorë.
“Për momentin po shohim me zgjidh këtë situatë, kjo situatë zgjidhet duke i largu familjet, nuk guxojmë me i lanë se është rrezik, larg qoftë me na ndodh edhe diçka tjetër. I strehojmë siç duhet, ua paguajmë qiranë dhe u japim pako për me mund me kalu këtë fazë e për zgjidhje të përhershme, thashë që e kemi nisur edhe ecim e vitin tjetër duhet të përfundojë një objekt i joni, e do të nisë tjetri...”, ka thënë Gjini.
Përveç rrugës “Shote Galica”, uji vërshoi edhe dhjetëra kate përdhese të shtëpive te Pika e Zezë, duke shkaktuar dëme të mëdha brenda.
Banorët tregojnë se gjendjen e ka rënduar edhe mosrregullimi me kohë i gypave, për të cilën gjë kanë fajësuar Komunën, për, siç kanë thënë, neglizhencë.
“Problemi qëndron te gypat që ka filluar komuna dhe ia ka dhënë një firme projektin, prej vitit të ri punojnë dy ditë, 10 nuk punojnë dhe prej viti të ri jemi kështu. Problemi është te kompania punëkryese. Këtu jemi prej 96-s, kurrë s’ka ndodhur kështu. Kemi shkuar edhe në komunë jemi ankuar, nuk kanë ndërmarrë kurgjë”, ka thënë Canë Deliaj.
Këtyre akuzave u është përgjigjur kryetari Gjini.
“Te Pika e Zezë kemi punuar në vitin e kaluar, sivjet nuk është përfunduar fatkeqësisht. Veç i lus ta sanojnë gjendjen që e kemi tash. Këqyrim me sanu sa të mundemi. E ai kanalizim përfundon edhe te Pika e Zezë. E dimë që e kemi një problem edhe me pronë. Nuk e kemi pritë që kaq herët mund të na zë pa përfunduar vera, po me të vërtetë ka pasur prurje jashtë normës”, ka thënë Gjini.
Sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, ekipet e intervenimit nga Komuna e Gjakovës kanë evakuuar nëntë familje me së paku 80 anëtarë.