Policia e Kosovës dhe Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur kanë konfirmuar se janë gjetur mbetje mortore të gjashtë personave në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt, që dyshohen se i përkasin luftës së fundit në Kosovë.
Sipas njoftimit të Policisë, mbetjet mortore dyshohen se i përkasin trupave të zhdukur gjatë luftës së fundit. Më 9 nëntor janë gjetur skelete të tre trupave, ndërsa gjatë gërmimeve në atë lokacion ditëve në vijim janë hasur gjetje edhe të tre personave të tjerë.
“Më 9 nëntor 2023 janë gjetur skelete të tre trupave. Hulumtimet kanë vazhduar edhe ditëve në vazhdim, kështu me 20, 21 dhe 24 nëntor 2023 janë hasur gjetje edhe të tre personave të tjerë. Pra, gjatë gërmimeve në këtë lokacion janë gjetur dhe më pas janë tërhequr nga ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore gjithsej trupa (gjetje eshtërore) të gjashtë personave që dyshohet të jenë trupa të zhdukur gjatë luftës së fundit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Hulumtimet në këtë lokacion konsiderohen të mbyllura për institucionet e përfshira në këtë rast, “por puna në koordinim dhe bashkëpunim mes këtyre do të vazhdojë duke trajtuar çdo informacion që do të ofrohet me qëllim të zbardhjes së rasteve tjera”.
Policia ka ftuar gjithë ata që mund të kenë ndonjë informacion për ndonjë varr individual apo varreza të ofrojë të dhëna tek institucionet përkatëse.
Edhe
Në Prekaz gjenden mbetje mortore, dyshohet të jenë të personave të zhdukur në luftë
Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka thënë se bëhet fjalë për eshtrat e së paku gjashtë personave të zhdukur, “por për të konfirmuar numrin dhe identitetin e individëve të zhvarrosur është i domosdoshëm përfundimi i të gjitha procedurave nga institucionet relevante, që do të pasohet me informim të familjarëve dhe publikut”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar angazhimin dhe punën, duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, për t’i dhënë fund ankthit 24 vjeçar të pritjes së familjarëve për të ditur vendndodhjen e më të dashurve të tyre”, thuhet në komunikatën e Komisionit Qeveritar.
-
Zbulohen mbetje mortore në Brekoc të Gjakovës, dyshohet se janë nga lufta e fundit
-
Në Prekaz gjenden sërish mbetje mortore, dyshohet të jenë të personave të zhdukur në luftë
-
Gjenden mbetje mortore që mund të jenë të një personi të zhdukur nga lufta
-
Gjenden mbetje eshtërore në Rahovec, dyshohen se i përkasin së paku një personi të zhdukur gjatë luftës